Përballje

Europa Leauge/ Barcelona eliminon Napolin, nuk vazhdon tutje Dortmund


Barcelona ka eliminuar Napolin nga Liga e Evropës, të cilët i mposhtën në ndeshjen e dytë në udhëtim, me rezultat 2:4, duke çuar rezultatin e përgjithshëm në 3:5.

Ndeshja ishte spektakolare dhe kjo u tregua qysh në fillim, kur Barcelona arriti të kalojë në epërsi që në minutën e tetë, me golin e shënuar nga Jordi Alba.

Vetëm pesë minutë më vonë, Frenkie de Jong dyfishoi epërsinë për mysafirët, duke shënuar një gol spektakolar nga jashtë zone.

Napoli më pas arriti të ngushtojë shifrat në 2:1 me golin e Lorenzo Insigne-s nga penalltia.

Mirëpo, në fundin e pjesës së parë, Gerard Pique arriti të dyfishojë përsëri epërsinë e katalunasve, i cili u gjend më së miri në zonën e napolitanëve.

Barcelona nuk u ndal as në pjesën e dytë, duke qenë më e mirë në fushën e lojës.

Goli i qetësisë erdhi në minutën e 59-të, kur Pierre Emerick Aubameyang shënoi për 4:1, pas një asistimi të mirë nga Adama Traore.

Ndërsa në minutën e 87-të, Mateo Politano arriti të shënonte gol, por ky doli të jetë vetëm për rezultatin përfundimtar 2:4.

Në fazën e 1/8-ve të finales nuk arriti të kualifikohej Borussia Dortmund-i, të cilët nuk shkuan përtej një barazimi 2:2 në udhëtim te skocezët e Rangers.

Ndeshjen më mirë e nisën vendasit, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 22-të me anë të James Tavernier, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Gjermanët reaguan që në pjesën e parë, kur fillimisht Jude Bellingham barazoi shifrat në minutën e 31-të, derisa 10 minuta më vonë, Donyell Malen kaloi në epërsi verdhezinjtë.

Por, në minutën e 57-të, ishte përsëri autori i golit të parë për Rangers, i cili barazoi shifrat në 2:2, rezultat me të cilin edhe u mbyllë ndeshja.

Kështu pas dy ballafaqimesh, Dortmund-i tani eliminohet nga Liga e Evropës, duke u mposhtur me rezultat të përgjithshëm 6:4.

Kualifikimin tutje për në fazën tjetër e gjeti edhe Real Betis, të cilët barazuan pa gola ndaj rusëve të Zenit-it, megjithatë falë fitores në ndeshjen e parë me shifrat 2:3, spanjollët vazhdojnë tutje.

Ndërsa takimi mes Braga-s dhe Sheriff Tiraspol-it është duke u zhvilluar në vazhdime, pasi që rezultati pas dy ndeshjeve është i barabartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore