Sport

Europa League/ Kualifikohen Lazio, Galatasaray, Betis-i, Leverkusen-i dhe West Ham-i


Kanë përfunduar tetë sfidat e para për këtë të enjte në Europa League. Lazio, Galatasaray, West Ham-i, Real Betis-i, Midtjylland-i, Bayer Leverkusen-i dhe Crvena Zvezda kanë arritur të triumfojnë.

Ndeshjet janë të pestat dhe të parafundit të fazës së grupeve. Lazio, Galatasaray, Betis-i, Leverkusen-i dhe West Ham-i kanë vulosur kualifikimin për në raundin tjetër të Europa League-s.

Grupi E

Lazio arritit të fitonte me rezultatin 3-0 në transfertën moskovite përballë Lokomotiv-ës. Dy gola për italianët erdhën nga pika e bardhë e penalltisë, me autor të përhershmin, Ciro Immobile-n dhe i treti nga spanjolli Pedro.

Thomas Strakosha dhe Elseid Hysaj luajtën që nga minuta e parë për Lazio-n. Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Hysaj, ishte një nga më të mirët në fushë. Nga minuta e 66 në lojë u përfshi edhe lojtari i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi.

Galatasaray ka arritur fitore bindëse përballë gjigandëve francez të Marseille-s, në shifrat 4-1. Golat për vendasit erdhën nga Alexandru Cicaldau, Sofiane Feghouli, Ryan Babel dhe një autogol i Duje Caleta-Car. Për miqtë shënoi dopietë, polaku Arkadiusz Milik.

Lazio, së bashku me Galatasaray-n janë skuadrat që kualifikohen në raundin tjetër të Europa League-s.

Grupi F

Danezët e Midtjylland-it kanë fituar në frymën e fundit me rezultatin 3-2, falë një penalltie në minutën e 90+4 ndaj portugezëve të Braga-s. Erik Sviatchenko, Gustav Isaksen dhe Evander shënuan për vendasit. Ricardo Horta dhe Wenderson Galeno ishin shënuesit për miqtë.

Crvena Zvezda ka arritur një fitore minimale 1-0 në shtëpi përballë Ludogorets-it. Mirko Ivanic ishte autori i golit, që i dërgon kryeqytetasit në fazën tjetër të Europa League-s.

Grupi G

Përmbysje dhe kundërpërmbysje, kështu mund të përkufizohet më mirë sfida mes Bayer Leverkusen-it dhe Celtic-ut.

Robert Andrich shënoi i pari, duke kaluar në avantazh gjermanët. Më pas skocezët shënuan dy herë me anë të Josip Juranovic-it dhe Jota-s. Në minutat e fundit të takimit gjermanët do të shënonin dy golat e fitores me anë të Andrich-it dhe Mousssa Diaby-s.

Në sfidën tjetër të këtij grupi, Real Betis-i fitoi përballë Ferencvarosi-t të Myrto Uzunit, me shifrat 2-0. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë nuk luajti në këtë takim. Cristian Tello dhe Sergio Canales-i ishin autorët e golave për Betis-in.

Grupi G

Grupi H

West Ham-i ka triumfuar me shifrat 2-0 në transfertë përballë Rapid Wien-es. Autorët e golave për anglezët ishin Andriy Yarmolenko dhe kapiteni Mark Noble. Fitorja i dha West Ham-it kualifikimin në raundin tjetër të Europa League-s, si skuadra e parë në grup.

Dinamo Zagreb nuk ka shkuar më shumë se një barazim në shifrat 1-1 përballë belgëve të Genk-ut. Luka Menalo shënoi për kroatët dhe Ike Ugbo për belgët. Të dy skuadrat luftojnë për kualifikimin në raundin tjetër,por gjithçka do të vendoset në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.

Grupi H

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore