Lajme

“Euronews”: Kosova rrezikon një valë të re tensionesh pas largimit të dinarin serb


Ilustrim

Në një artikull të rrjetit evropian të lajmeve “Euronews” paralajmërohet se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operacionet me para të gatshme, ku specifikohet se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro dhe rrjedhimisht, përjashtohet dinari serb në Kosovë, mund të shtojë shtresa të reja tensioni në një ambient të njohur.

“Kosova duket se rrezikon një valë të re të tensioneve etnike me vendimin për të hequr dinarin serb nga sistemi monetar. Ndalimi i transaksioneve në dinarë mund të përjashtojë në mënyrë efektive pakicën lokale serbe, të cilët përdorin gjerësisht dinarin, nga sistemi financiar në Kosovë. Kjo mund të sjellë një tjetër krizë me Serbinë”, shkroi “Euronews” të enjten.

Në raportimin e “Euronews” për këtë çështje thuhet ndër të tjera se Serbia zgjodhi pikërisht këtë moment për të shqyrtuar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak – Serbia hoqi dorë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak më 1 janar të vitit 2011, ndërsa propozimi për ritkthimin e masës u iniciua nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë në fillim të këtij viti.

“Qeveria e Serbisë e sheh lëvizjen e Kosovës si një provokim dhe analistët thonë se pothuajse me siguri do të dëmtojë përpjekjet e vazhdueshme për të qetësuar tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në artikullin e “Euronews” në formë paralajmërimit të titulluar: “Të gjitha bastet janë të vlefshme derisa Kosova dhe Serbia përballen me një krizë valutore”.

Dy ndër gazetat kryesore në Britaninë e Madhe – “Financial Times” dhe “The Telegraph” – kanë shkruar gjithashtu për rregulloren e ndryshuar të BQK-së, duke i kushtuar vëmendje të veçantë ua kërkesës së QUINT – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia – që Qeveria e Kosovës ta pezullojë zbatimin e rregullores BQK-së.

“Kosova po sfidon lutjet e perëndimit që ta shtyjë vendimin për ndalimin e monedhës së Serbisë për transaksionet me para të gatshme në territorin kosovoar, një propozim që ka shkaktuar tensione të reja midis dy vendeve pas dekadash paqëndrueshmërie në rajon”, shkroi “Financial Times”.

“Kosova do të ndalojë përdorimin e monedhës serbe nga e enjtja, duke kërcënuar të shkaktojë një krizë të re në rajon”, shkroi nga ana tjetër “The Telegraph” të mërkurën, duke shtuar se përkundër shqetësimeve të diplomatëve perëndimor, ekzekutivi kosovar është i vendosur të ecë përpara.

“Diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar se këmbëngulja e qeverisë kosovare që serbët etnikë të miratojnë euron mund të çojë në një ripërtëritje të përplasjeve […] Mosmarrëveshja rreth dinarit rrezikon ta zhysë kombin ballkanik përsëri në trazira”, shkroi ndër të tjera “The Telegraph”.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb. Në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti kjo praktikë pritet të ndalet.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese midis Kosovës dhe Serbisë ose nënprodukteve të pasioneve maniçeane do të zgjerohet apo serbët lokalë do të adaptohen me euron.

Vendimi për dinarin hyn në fuqi – presioni ndërkombëtar (s’)e luhatë qeverinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore