Financa

Euroja digjitale do ta mbrojë privatësinë


Fabio Panetta, një anëtar i bordit ekzekutiv në Bankën Qendrore Evropiane, është i mendimit se futja e euros digjitale do të rriste privatësinë e konsumatorëve dhe do të mbronte zonën e euros nga “kërcënimi” i kriptomonedhave konkurruese që mund të minojnë sovranitetin monetar të bllokut.

Ai ka thënë për Financial Times se një nga qëllimet kryesore të projektit është të luftojë përhapjen e monedhave digjitale të krijuara nga kombet dhe kompanitë e tjera.

“Nëse banka qendrore përfshihet në pagesa digjitale, privatësia do të mbrohet më mirë…sepse ne nuk jemi si kompani private. Ne nuk kemi asnjë interes tregtar në ruajtjen, menaxhimin ose monetimin e të dhënave të përdoruesve”, është shprehur Panetta.

Ai ka vijuar se “sigurisht që ekziston kërcënimi i mundshëm që mund të vijë nga të tjerët që lëshojnë një mjet digjital pagese…nëse njerëzit duan të paguajnë në mënyrë digjitale dhe ne nuk u ofrojmë atyre një mënyrë të tillë të pagesës, dikush tjetër do ta bëjë atë”.

Analisti e ka dalluar euron digjitale, një version elektronik të parave të gatshme të lëshuara nga banka qendrore, nga “monedha të paqëndrueshme” të tilla si Diem-i që është monedha digjitale e planifikuar e Facebook-ut. Ajo do t’i linte përdoruesit të dërgonin para aq lehtë sa mesazhet me tekst.

Në bazë të një konsultimi të fundit të bankës për një euro digjitale, doli në pah se shqetësimi më i madh i njerëzve ishte që ajo mund të shkatërronte privatësinë e tyre.

Për këtë shqetësim, Panetta ka thënë se banka qendrore kishte testuar mënyra për të ndarë identitetin e njerëzve nga detajet e tyre të pagesës. “Pagesa do të kalojë, por askush në zinxhirin e pagesave nuk do të ketë qasje në të gjitha informacionet”, ka sqaruar ai.

Gjithashtu banka qendrore ka testuar edhe “pagesa jashtë linje për shuma të vogla, në të cilat asnjë e dhënë nuk regjistrohet jashtë portofolit të paguesit dhe të paguarit”. Kjo për transferime deri në 70 ose 100 euro, të cilat mund të bëhen duke përdorur një lidhje Bluetooth midis pajisjeve.

“Për shuma shumë të vogla, ne mund të lejojmë pagesa vërtet anonime, por në përgjithësi, konfidencialiteti dhe privatësia janë të ndryshme nga anonimati”, ka treguar Panetta, duke shtuar se disa kontrolle do të duheshin në shumicën e transaksioneve për të shmangur pastrimin e parave, financimin e terrorizmit ose evazionin e taksave.

“Një pagesë mund të rindërtohet (pas ngjarjes) nëse policia dëshiron të vlerësojë nëse ka pasur ndonjë veprimtari të paligjshme”, ka thënë ai për Financial Times.

Sipas Bankës për Zgjidhjet Ndërkombëtare, afro dy të tretat e bankave qendrore të botës po kryejnë eksperimente praktike nëse duhet të fillojnë monedhat digjitale.

Mirëpo, ka shqetësime nga bankat tregtare se mos monedhat digjitale të bankës qendrore mund të gërryejnë depozitat e tyre, veçanërisht gjatë një periudhe krize. Morgan Stanley ka vlerësuar se deri në 837 miliardë euro, ose ndryshe tetë për qind e depozitave bankare të zonës euro, mund të kalojë në euro digjitale.

Kritikët kanë argumentuar se më shumë se gjysma e familjeve gjermane të anketuara kohët e fundit nga Bundesbank-a kanë qenë skeptik në lidhje me një euro digjitale dhe se përdoruesit e shpeshtë të parave ishin më dyshues.

Euroja digjitale për Panetta-n do të çonte në “një ndryshim thelbësor mbi mënyrën se si do të funksionojnë pagesat, sistemi financiar dhe shoqëria në përgjithësi”.

Megjithatë, ai ka treguar se banka qendrore është e vendosur të sigurohet që euroja digjitale nuk minon sistemin bankar komercial, zëvendëson paratë e gatshme, nxjerrë jashtë loje inovacionin ose kthehet në një monedhë hije në vendet më të vogla.

Panetta ka sqaruar se për të arritur këtë, banka po planifikon të kufizojë shumën që çdokush mund të mbajë në tre mijë euro secili ose të vendosë “shpërblim për të mos dekurajuar” mbi atë prag.

Muajin tjetër, këshilli drejtues i bankës do të mblidhet për të vendosur nëse do të ecë përpara me përgatitjet dhe se ajo mund të ishte gati për përdorim në afro pesë vjet.

Sipas tij, banka do të kompletojë kornizën e saj të re të mbikëqyrjes për monedhat private digjitale dhe ofruesit e aktiveve kripto deri në fund të këtij viti.

Gjithashtu ka paralajmëruar se pasuritë e kripto-s si bitcoin-i janë “shumë të rrezikshme”, të cilat “përdoren kryesisht për aktivitete kriminale” dhe konsumojnë “një sasi të madhe energjie”.

Panetta ka ravijëzuar se paqëndrueshmëria e mundshme e këtyre rezervave ka krijuar “një paqëndrueshmëri të qenësishme në funksionin e këtyre monedhave dhe për këtë arsye ato janë akoma monedha të paqëndrueshme”.

Sipas tij, rregullimi dhe mbikëqyrja e pasurive kripto është e vështirë “sepse nuk ka asnjë person juridik të përgjegjshëm”.

“Është e decentralizuar. Ata mund të jenë në Kinë. Ata mund të jenë në Zvicër ose në Amerikën e Jugut…por, në masën që ndërmjetësit janë të përfshirë në furnizimin e atyre aktiveve kripto, atëherë ne do të kemi rregullore dhe mbikëqyrje të vendosur”, ka shtuar.

Panetta mbron tezën që euroja digjitale duhet të vihet në dispozicion në sasi të kufizuara për turistët që vizitojnë Evropën, por që Banka Qendrore Evropiane do të “duhet të reflektojë me shumë kujdes mbi aksesin dhe deri në cilin limit, për përdoruesit e huaj”.

Gjithashtu ka treguar se bankat e mëdha qendrore janë në bisedime për të siguruar që monedhat e tyre digjitale të mbahen “në ndërveprim”, pasi kjo do të ndihmonte për “t’i bërë pagesat ndërkufitare më efikase dhe shumë më të lira”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore