Lajme

Eurodeputetja Delbos-Corfield: Serbia duhet tani të bëjë të qartë pozicionin e saj ndaj Rusisë


Deputetja franceze e Parlamentit Evropian (PE), Gwendoline Delbos-Corfield

Deputetja e Parlamentit Evropian (PE) Gwendoline Delbos-Corfield ka thënë se Qeveria e Serbisë kishte dërguar një mesazh të rrezikshëm duke mos iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) kundër Rusisë.

Eurodeputetja franceze Delbos-Corfield ka deklaruar se është e papranueshme që presidenti serb Aleksandar Vuçiç të vazhdojë të favorizojë Rusinë dhe në të njëjtën kohë të marrë fonde nga BE-ja në kuadër të procesit të anëtarësimit.

“Duke pasur parasysh se zgjedhjet në Serbi janë më 3 prill, nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme për Vuçiç-in të përafrohet me vlerat e BE-së për demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

“Së bashku me kolegët e mi GreensEFA, ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që ta bëjnë tani të qartë pozicionin e tyre ndaj Rusisë”, ka shkruar ajo në rrjetin social Twitter.

Ajo ka thënë “Të jemi të qartë, e ardhmja e Serbisë është në BE”, pra kjo do të thotë se kërkohet zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Është gjithashtu e nevojshme që autoritetet serbe të vendosin sanksione ndaj Rusisë, siç bënë vendet anëtare të BE-së”, ka shkruar eurodeputetja.

“Zërat pro-rusë janë veçanërisht të lartë tani në Serbi. Kjo është një çështje shqetësuese”.

Javën e kaluar, nëntë deputetë të Parlamentit Evropian nga grupi liberal “Ta rinovojmë Evropën” i kërkuan Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, të ngrijë përkohësisht negociatat me Serbinë dhe të pezullojë ndihmën financiare për Beogradin derisa të harmonizohet me qëndrimin e BE-së në raport me agresionin rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore