Lajme

Eurodeputeti slloven kërkon qasje nga KE në “non paper’-in e Janez Janshes


Ilustrim

Eurodeputeti slloven i Këshillit Evropian, Klemen Groshelj, i ka kërkuar Këshillit Evropian ta bëjë publik dokumentin jo zyrtar, “non paper”, të  kryeministrit slloven Janez Jansha, përmes të cilit pretendohet ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor, raporton portali “Slobodna Bosna”. 

Në kërkesën e tij drejtuar KE-së, Groshelj deklaroi se “ky “non paper” provokoi reagime të shumta jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, “por edhe në Evropë dhe botë”.

“Si përfaqësues i zgjedhur i Parlamentit Evropian dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, i cili është i përfshirë thellë në punët e Ballkanit Perëndimor në baza ditore, unë besoj se qasja ime në informacionet që përmban ky ‘non paper’ do të ishte me interes të jashtëzakonshëm gjatë punës sime” ka shkruar Groshelj.

“Prandaj, do të pyesja Këshillin nëse mund të më lejohet qasje në këtë ‘non paper’ lidhur me kufijtë në Ballkanin Perëndimor, duke iu nënshtruar rregullave të rrepta të konfidencialitetit dhe duke respektuar plotësisht për të gjitha detyrimet përkatëse ligjore”.

Letra e deputetit slloven Klemen Groshelj, dërguar Këshillit Evropian

Groshelj u zgjodh në Parlamentin Evropian nga Lista së Marijan Sharec (LMSH), që është partia e ish-kryeministrit të Sllovenisë, tani në opozitë.

Më pesë qershor, gazeta boshnjake Oslobodjenje pati shkruar se Bashkimi Evropian e ka konfirmuar ekzistencën e non-paper të kryeministrit Janez Jansa mbi ndarjen e Bosnje dhe Hercegovinës dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Por, siç shkruante gazeta, Këshilli i BE nuk dëshiron ta botojë atë dokument, sepse zbulimi i tij mund të përkeqësojë marrëdhëniet ndërkombëtare, shkruan Oslobodjenje e Sarajevës.

Letra sekrete e kryeministrit slloven për BE-në

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë. Zgjidhja e çështjes kombëtare të Kroacisë me dy opsione dhe krijimi i një shteti funksional boshnjak.

Ky është plani për zgjidhjen përfundimtare të problemeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që zbulohet me një letër që një media sllovene e ka botuar, duke aluduar që të njëjtën kryeministri slloven Janez Jansa e ka dërguar te Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.

Media sllovene Necenzurirano.si, që është një medium slloven hulumtues që ka filluar publikimet online në shkurt të vitit të kaluar e ka publikuar letrën e plotë edhe në gjuhën angleze.

Në letrën, origjinalin e të cilës e pati siguruar Albanian Post, shkurtimisht, por në hapa konkretë, tregohej se cili është plani, arsyet për realizimin e planit dhe pikat nëpër të cilat duhet të kalojë implementimi i tij.

Sipas letrës, disa nga pikët tashmë janë në rrugë e sipër për t’u realizuar dhe për konkretizimin e planit janë të informuar faktorë rajonalë e ndërkombëtarë.

Në pjesën e dokumentet të titulluar si “Zgjidhja” të cilën e ka siguruar Albanian Post thuhet se gjithçka do të zgjidhej në gjashtë pika.

Pika e parë është “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”.

“Në Kosovë, 95 për qind e popullatës duan bashkim me kombin e tyre Shqipërinë. Situata është e njëjtë në Shqipëri. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë de fakto nuk ekziston. Pjesës serbe të Kosovës i është garantuar një status special (duke përcjellur modelin e Tyrolit Jugor)”, thekson letra.

“Bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë”, përbën pikën e dytë në dokument.

“Çështja kombëtare e Serbisë mund të zgjidhet në një masë të madhe duke ia bashkuar një pjesë të madhe të Republika Srpskas Serbisë. Në këtë rast, Serbia është e gatshme të pajtohet me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

Për Kroacinë ofrohen dy opsione.

“Çështja kombëtare e Kroacisë mund të zgjidhet: Duke ia bashkuar Kroacisë pjesët kroate të Bosnjës dhe Hercegovinës ose, duke iu garantuar një status special pjesës kroate të Bosnjës (modeli i Tirolit jugor)”

Sa u përket boshnajkëve “ata do të fitonin një shtet të pavarur funksional dhe do ta kontrollonin krejtësisht”.

“Një referendum është organizuar për njerëzit që të zgjedhin në mes të BE-së dhe jo-BE-së (Turqisë). Për momentin, një shumicë e boshnjakëve mbështet perspektivën evropiane, por nëse vazhdon ky kaos dhe rritja e influencës turke dhe islamit radikal,. Situatat drastikisht mund të kthehet në anën tjetër gjatë dekadës së ardhshme”.

Në gjithë këtë plan rol të rëndësishëm ka Bashkimi Evropian.

“BE-ja, në bashkëpunim me faktorë të tjerë regjionalë, si për shembull Iniciativa e Tri Deteve, lanson implementimin e një programi ekonomik për stabilizimin, përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve energjetike në rajon, dhe rehabilitimin mjedisor (Komisioni Evropian veçse ka përgatitur pjesë të planit)”.

Pika e fundit do të ishte një “përshpejtim i negociatave për anëtarësim në BE dhe NATO, pas ratifikimit të të gjitha vendimeve bilaterale të nevojshme në rajon”.

Për këtë plan janë dhënë edhe hapet konkret në të njëjtin dokument.

Madje, shënuar në kllapa, disa prej këtyre hapave tashmë veç janë në implementim e sipër.

“Një program për komunikimin dhe prezantimin e planit te qytetarët, duke marrë parasysh ambientet e ndryshme në pjesë të ndryshme të regjionit, tashmë është përgatitur. Nëse BE-ja, SHBA-të dhe shumica e vendim-marrësve regjionalë pajtohen me këtë plan dhe hapat për implementimin e tij, BE-ja e merr iniciativën dhe e formalizon atë”, përbëjnë hapin tre dhe katër.

Megjithatë zyra për komunikim e kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, një përgjigje me shkrim për Albanian Post, patën thënë se “Qeveria aktuale e Republikës së Sllovenisë asnjëherë nuk ka diskutuar të ashtuquajturën “non-paper’ që ju keni përmendur në raportimet tuaja gjatë ditëve të fundit”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe as ndonjë ministri tjetër e Qeverisë aktuale të Republikës së Sllovenisë nuk është përfshirë në ndonjë aktivitet të tillë”.

Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kishte deklaruar për AP se “non paper” i publikuar të që flet për përmbylljen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë nuk shpreh pozicionin e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore