Lajme

Eurodeputeti francez vjen në Kosovë dhe lëshon mesazhe me gjuhë të urrejtjes


Nicholas Bay dhe Sava Janjiç në Manastirin e Deçanit

Nicolas Bay, eurodeputeti francez dhe anëtari i partisë me tipare të së djathtës ekstreme, “Reconquête”, i drejtuar nga ultra-nacionalisti francez, Eric Zemmour, së fundmi ka vizituar Kosovën.

Vizitën e tij e ka njoftuar vetë Bay, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, duke bërë të ditur se ka filluar turin e tij tre ditor ballkanik nga Beogradi.

“Një mundësi për të takuar njerëzit, autoritetet politike dhe fetare, në këtë tokë të vrarë të Evropës, ku po rrezikohet edhe e ardhmja e qytetërimit tonë evropian dhe të krishterë”, ka shkruar ai.

Politikani kontrovers francez, përveç se ka vizituar monumente të ndryshme fetare, ka takuar edhe deputetin e Partisë Progresiste serbe e udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Jovan Palalic, me të cilin sipas një postimi në Facebook kanë diskutuar për situatën aktuale politike si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.

Bay i cili është është zëvendës-presidenti i partisë “Reconquête” që në thelb ushqen urrejtje ndaj emigrantëve të cilët jetojnë në Francë duke i cilësuar këta të fundit si “hajdutë”, “përdhunues” e “vrasës”, gjatë turit të tij në Beograd ka shpërndarë një fotografi të një objekti të shkatërruar, siç pretendon ai nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999, duke pyetur se cili ishte faji i Serbisë për këtë?

“Midis 24 marsit dhe 8 qershorit 1999, avionët e NATO-s bombarduan Beogradin. Serbia ka dashur të ruajë identitetin dhe pavarësinë e saj kombëtare”.

Për eurodeputetin francez populli serb në Kosovë, “po lufton për të mos u zhdukur nga territori i vet, Kosova”.

Bay duke vazhduar propagandën e tij të paskrupullt nuk ka nguruar ta etiketojë në njërin nga postimet e tij, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një “organizatë terroriste” ndërsa shëtiste në rrugët e Mitrovicës së Veriut.

“Në vitin 1999, këta burra luftuan ditë e natë, duke rrezikuar jetët e tyre për ta mbajtur këtë urë të Mitrovicës dhe për të penguar ‘terroristët shqiptar të UÇK-së që të pushtojnë Veriun e Kosovës’. Ata janë heronj të popullit serb”, ka shkruar ai ndërsa ka postuar një fotografi te ura e Ibrit në Mitrovicë.

Bay gjatë qëndrimit në Kosovë, ka vizituar edhe Manastirin e Deçanit, i cili sipas pretendimeve të tij, momentalisht “është nën sundimin e shqiptarëve, pas atij të Perandorisë Osmane, e periudhës komuniste Jugosllave”.

Eurodeputeti francez, i cili tërë vizitën e tij në Kosovë e ka lajmëruar përmes postimeve të ndryshme nga rrjeti i tij social në Facebook e Twitter, përveç se ka përdorur gjuhë të urrejtjes, me një qëndrim tejet fashistë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi e ka cilësuar Kosovën “si pjesë të Serbisë”.

“Kosova është Serbi”, ka shkruar ai duke shpërndarë një fotografi brenda Manastirit të Deçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore