Eurodeputeti austriak: S’do të ketë përparim drejt BE-së për Serbinë nëse Vuçiç vazhdon me këtë politikë

SHFLETO

Andreas Schieder

 

Dini Fetahu
25.06.2024 10:33
Loading Icons...

Andreas Schieder, eurodeputeti nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), ka thënë se Serbia nuk mund të presë një rrugë të përshpejtuar drejt Bashkimit Evropian pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, posaçërisht nëse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, vazhdon me politikën aktuale.

Këto komente, Schider i ka bërë në një intervistë për median opozitare serbe “Nova”, ku ka folur për rezultatet e zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, rritjen e të djathtës ekstreme, por edhe për ato që do të pasojnë pas procesit elektoral.

“Nëse Vuçiç vazhdon rrugën e tij politike, duke mos respektuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë, si dhe me cenimin e shtetit të së drejtës, së shpejti nuk do të ketë përparim në pranimin në BE”, ka thënë eurodeputeti austriak.

I pyetur për zgjedhjet lokale në Serbi, Schider theksoi se këtë herë nuk ka qenë vëzhgues, por në bazë të njohurive të deritanishme, rekomandimet që janë dhënë nga ndërkombëtarët nuk janë zbatuar në masën e duhur.

“Kjo është e trishtueshme, veçanërisht duke pasur parasysh se sistemi politik në Serbi është bërë gjithnjë e më i paqëndrueshëm vitet e fundit dhe karakterizohet gjithnjë e më shumë nga tendenca autoritare”, shtoi.

Sa i përket rritjes së partive të ekstremit të djathtë, ai ka konsideruar se përbën “rrezik” për Evropën dhe demokracinë.

“Partitë e ekstremit të djathtë dhe populiste jo vetëm që kontribuojnë në klimën e frikës dhe urrejtjes, por edhe kërcënojnë të drejtat e qytetarëve tanë në BE, veçanërisht të drejtat e pakicave”, pohoi.

Përveç kësaj, ai ko potencuar se këto parti “janë aleatët e [Presidentit të Rusisë, Vladimir] Putin-it dhe e mbështesin atë dhe fuqitë e tjera të huaja për të fituar më shumë ndikim në Evropë”.

“Ata vazhdojnë të fitojnë mbi votuesit në Evropë duke krijuar frikë përmes temave emocionale si migrimi. Të mos harrojmë se partitë e ekstremit të djathtë nuk do të përmirësojnë kurrë jetën tonë, vetëm se do ta bëjnë jetën më pak të lirë dhe më pak të sigurt”, deklaroi ai ndër të tjera.