Lajme

Euro-deputetët: Këshilli Evropian pa vonesë të heqë vizat për Kosovën


Parlamenti Europian

Euro-deputetët i bëjnë thirrje Këshillit të Evropës (KE) që të vendosë sa më shpejt që të jetë e mundur për hapjen e negociatave me Kosovën. Kjo thirrje u bë me anë të një deklarate.

“Krimi i organizuar shkatërron besimin e qytetarëve në institucionet e tyre publike dhe besimin te njëri-tjetri. Kjo është arsyeja pse është pengesa kryesore për përpjekjet e shoqërive në Ballkanin Perëndimor për të zhvilluar vendet dhe ekonomitë e tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të euro-deputetëve.

“BE nuk duhet të përdorë krimin e organizuar si justifikim për të vonuar procesin e integrimit, por duhet të jetë me njerëzit e Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër krimit të organizuar”, ka deklaruar raportuesi Lukas Mandl.

Në raportin për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, euro-deputetët veçuan se lufta kundër krimit të organizuar dhe progresi në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) janë procese të kushtëzuara në mënyrë reciproke, duke kërkuar përshpejtimin e procesit integrues.

Euro-deputetët u kanë bërë thirrje qeverive të rajonit që të rrisin dukshëm përpjekjet për reforma, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas euro-deputetëve, BE-ja duhet t’i mbështesë këto përpjekje përmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik.

Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian me 60 vota pro, katër kundër dhe gjashtë abstenime, ka miratuar një raport, ku ndër të tjera vë në pah se vendet e Ballkanit Perëndimor janë zona e origjinës dhe transitit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe përfaqësojnë një korridor transiti për migrantët dhe refugjatët, si dhe një vend për pastrim parash dhe trafik armësh.

Ilustrim

Izolimi inkurajon aktivitetet kriminale, prandaj bëhet thirrje që Këshilli Evropian pa vonesa të mëtejshme të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Mungesa e mundësive për punësim, korrupsioni, keqinformimi, elementët e shtetit të robëruar, pabarazia dhe ndërhyrja e huaj nga regjimet jodemokratike si Rusia dhe Kina, janë faktorët kryesorë që e bëjnë Ballkanin Perëndimor të cenueshëm, thuhet ndër të tjera në raport.

Lidhjet midis figurave të larta politike dhe grupeve të organizuara kriminale, sipas euro-deputetëve duhet të çrrënjosen përmes masave të qarta anti-korrupsion dhe ndjekjes efektive të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.

Ata vlerësojnë se është më se e rëndësishme që vendet e Evropës Perëndimore të bashkëpunojnë dhe të ndajnë inteligjencën me vendet anëtare të BE-së dhe partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë SHBA-të, Kanadanë, Britaninë, por edhe organizata si NATO-n, KE-në, GRECO-n dhe OSBE-në.

Raporti i euro-deputetëve mirëpret përfundimet e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Agjencisë së BE-së për Bashkëpunimin në Ligjin Penal (Eurojust) dhe qeverive të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë, si dhe autoritetin për të hapur negociatat me Bosnjë e Hercegovinën, thuhet në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore