Shqipëria

Euro 2024: Ramadani e Seferi premtojnë rezultat pozitiv ndaj Çekisë


Ylber Ramadani dhe Taulant Seferi kanë dalë para mediave në prag të ndeshjes me Çekinë, për kualifikueset e kampionatit evropian “Gjermani 2024”.

Të dy futbollistët e kanë vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe e dinë rëndësinë e këtij dueli, që do të luajnë në “Air Albania” më 12 tetor prej orës 20:45.

Mesfushori Ramadani theksoi se duhet të bëjnë më të mirën në fushë dhe të kërkojnë fitoren, pasi këtë herë luajnë në shtëpi dhe do kenë edhe përkrahjen maksimale të tifozëve.

Ai kërkon prej tyre që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin dënimin, pasi u duhen edhe për ndeshjet në vazhdim.

“Normalisht me Kombëtaren nëse arrijmë Evropianin është një gjë e madhe për mua, për gjithë Shqipërinë, për familjen time. Edhe atje në Itali jam duke u paraqitur mirë. Shpresoj të vazhdoj kështu. Kemi ardhur me mentalitetin e duhur kur e kemi përfunduar ndeshjen me Poloninë. Është një ndeshje shumë e vështirë, nuk është ndeshje e lehtë, pasi kundërshtari është i fortë. Kanë pësuar vetëm dy gola, por ne duhet të futemi në fushë vetëm me qasjen e duhur, pa eufori dhe ta bëjmë maksimumin e të marrim rezultatin pozitiv”, theksoi mesfushori shqiptar.

Për sulmuesin kuqezi të Kombëtares, Taulant Seferi, konkurrenca në ekip nuk është aspak problem.

Djaloshi shqiptar vlerëson grupin kuqezi, ndërsa thekson se skuadra është e fortë, e karikuar dhe e fokusuar maksimalisht për ‘finalen’ ndaj Çekisë.

Seferi vlerëson sulmin shqiptar, ndërsa ka edhe një thirrje për të gjithë tifozët shqiptarë: të shmangin hedhjen e flakadanëve apo sendeve të tjera në fushë.

Taulant Seferi nënvizon gjithashtu se Çekia është një skuadër shumë e fortë, ndërsa premton nga ana tjetër se kuqezinjtë do të japin maksimumin e tyre ashtu sikurse në ndeshjet e tjera.

“Këto janë tre finale. Fokusi ynë është te ndeshja e radhës dhe besoj që energjia e lojtarëve është ajo e duhura. Ne kemi ardhur të karikuar e të fokusuar maksimalisht. Uroj që në këtë ndeshje të dalim me rezultat pozitiv dhe të shohim më pas ndeshjet e radhës. Besoj se ky është sulmi më i mirë që ka pasur Kombëtarja. Kjo më bën të lumtur sepse konkurrenca e bën grupin dhe ekipin më të fortë. Shpresojmë që kjo konkurrencë e madhe në grup të na shërbejë për rezultate pozitive. Kur Kombëtarja shënon, është diçka e bukur për ne sulmuesit dhe diçka e mirë. Kombëtaren nuk e bën një repart, por ne jemi grup dhe forca më e madhe e skuadrës është grupi”, shtoi sulmuesi shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore