Sport

Euro 2024 merr formën përfundimtare


Me mbarimin e ndeshjeve të play-off janë mësuar edhe emrat e tri ekipeve të fundit që kualifikohen në Kampionatin Evropian, Euro 2024, i cili do të zhvillohet në Gjermani këtë verë.

Polonia, Ukraina dhe Gjorgjia, hera e parë në historinë e vendit, janë tre kombëtaret e fundit që plotësojnë 24-shen totale të ekipeve të kualifikuara në Euro 2024.

A: Uellsi 0-0 Polonia (4-5 me penallti)

Wojciech Szczesny e priti penalltinë e fundit, ndërsa Polonia arriti në finalen e pestë radhazi të Euro-s në një ndeshje vendimtare në Kardif të Uellsit.

Nëntë penalltitë e para u shndërruan të gjitha në gola, para se Szczesny të largonte goditjen nga pika e bardhe të Daniel James për të kualifikuar skuadrën e Michal Probierz.

Polonia ka kaluar dhjetë ndeshje pa humbje kundër Uellsit (7 fitore barazime) që nga humbja e parë në kryeqytetin e Uellsit në 1973.

B: Ukraina 2-1 Islanda

Ukraina bëri një rikthim emocionues në pjesën e dytë në Wroclaw, pasi kapërceu një disavantazh edhe një herë, ashtu siç bëri në Bosnje dhe Hercegovinë të enjten e kaluar, për të mposhtur Islandën dhe për të zënë vendin e tyre në Grupin E.

Një hapje e mbarë e ndeshjes pas gjysmë ore nga Albert Gudmundsson i kishte dhënë vizitorëve avantazhin. Pak minuta më pas përpjekja e Roman Yaremchuk do të anulohej për pozicion jashtë loje.

Megjithatë, Ukraina u rikthye serish, pas një goditjeje nga Viktor Tsygankov dhe një tjetër nga Mykhailo Mudryk duke vulosur fitoren pesë minuta nga fundi.

Ukraina ka humbur vetëm dy nga 20 ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro (13 fitore, 5 barazime).

C: Gjeorgjia 0-0 Greqia (4-2 me penallti)

Gjeorgjia u kualifikua për turneun e saj të parë të madh pas një triumfi me penallti kundër fitueses së Euro 2004, Greqisë në Tbilisi.

Greqia e nisi me një panallti të humbur dhe e përfundoi po me një tjetër të humbur, teksa gjeorgjianët u treguan më të saktë nga pika e bardhë.

Të dyja skuadrat shkuan pranë rrëmbimit të fitores në kohën shtesë, me goditjen me kokë të Konstantinos Mavropanos që shkoi pranë traversës së Gjeorgjisë dhe Vlachodimos që i mohoi golin Giorgi Tsitaishvilin-it.

Gjeorgjia shmangi humbjen në një ndeshje në shtëpi kundër Greqisë për herë të parë.

Grupet e Euro 2024

Pavarësisht se raundi i play-off përfundoi mbrëmjen e të martës, shorti i grupeve të Euro 2024 është përcaktuar në dhjetorin e vitit të kaluar.

Kështu, tre ekipet e kualifikuara së fundmi janë pozicionuar në grupet e tyre të përcaktuara nga ai short i 2 dhjetorit i mbajtur në Hamburg të Gjermanisë.

A: Gjermani, Hungari, Skoci, Zvicra;

B: Spanjë, Shqipëri, Kroaci, Itali;

C: Angli, Danimark, Slloveni, Serbi;

D: Francë, Austri, Holandë, Polonia;

E: Belgjikë, Rumani, Sllovaki, Ukraina;

F: Portugali, Turqi, Çeki, Gjeorgjia.

Qytetet pritëse të Euro 2024

18 vjet pas Kupës së Botës 2006, ku triumfoi Italia i Marcello Lippi-t, Gjermania është gati të presë një tjetër turne të madh.

Dhjetë stadiume do të vihen në dispozicion për turneun e madh. Ndeshja hapëse e Evropianit do të luhet në Mynih në stadiumin “Allianz Arena” më 14 qershor, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet në Berlin në stadiumin “Olympiastadion” më 14 korrik.

“RheinEnergieStadion” në Këln, “Signal Iduna Park” në Dortmund, “Deutsche Bank Park” në Frankfurt, si dhe “Veltins-Arena” në Gelsenkirchen do të veprojnë gjithashtu si skena futbolli.

Kjo do të pasohet gjithashtu nga “Volksparkstadion” në Hamburg, “Red Bull Arena” në Leipzig dhe “MHPArena” në Shtutgart. Hyrja e re do të jetë “Merkur Spiel-Arena” në Dusseldorf.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore