Lajme

EULEX: Një bombë është hedhur ndaj patrullës tonë vëzhguese në afërsi të Rudares


Pjesëtarët e EULEX-it në veri të Kosovës janë sulmuar të shtunën me bombë afër Rudares, por asnjë nga ta nuk është lënduar.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, ka njoftuar EULEX-i.

Sipas EULEX-it, ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.

“Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar. EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet”.

Nga EULEX-i kanë kërkuar që të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese, “si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”.

Intervistë me shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark: Situata e sigurisë në Veri është e brishtë, s’përjashtohet mundësia e shtimit të radhëve atje

Një ditë më parë, më 10 dhjetor, Shefi i Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars Gunnar Wigemark, në një intervistë për Albanian Post, theksoi se situata në pjesën veriore të Kosovës është e brishtë dhe tensionet e larta.

Në EULEX janë të shqetësuar me sulmet dhe vakumin institucional që tash mbretëron atje.

“Kriminaliteti në veri të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjeve të policëve serbë të Kosovës mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale”, thekson Ëigemark në këtë intervistë për Albanian Post.

Çka ndodhi?

Në veri të Kosovës serbët kanë vendosur barrikada në fshatin Rudarë të Zveçanit në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se është sulmuar në tri raste të ndryshme me armë zjarri nga disa persona të strukturave ilegale serbe në pjesën veriore të Kosovës, përkatësish afër Liqenit të Ujmanit.

Ndryshe, tensionet janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Që nga ajo kohë, në komunat me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave dhe shok bombave, ndërsa gjatë patrullimit, një zyrtar policor u plagos lehtë gjatë një sulmi në Zveçan më 8 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore