Lajme

Etja për të fituar, më e fortë se siguria në punë


Jo më larg se para tre ditësh, u regjistrua një aksident tragjik me dy fatalitete në Gjirokastër. Pas identifikimit të kryer, viktimat ishin Ismet Isaraj dhe Selfo Kallfa. Të dy punjonësit e OSHEE-së ishin nisur për të riparuar një defekt.

Për shkak të kushteve rrugore të rënduara nga dëbora, makina ka rrëshqitur. Rrjedha e ujit i ka rritur vështirësitë edhe për nxjerrjen e trupave nga uji.

Në të gjithë kalvarin e ngjarjeve tragjike me pasojë humbjen e jetës në punë, vëmendja rikthehet tek pasiguria e punëtorëve në Shqipëri.

Redaksia kontaktoi me një aktivist të të drejtave të punëtorëve, i cili ka preferuar të mbetet anonim. Ndër të tjera diskutuam për problematikat e pasigurisë në punë dhe mungesat e sindikalizmit në Shqipëri.

Cilat mendoni se janë profilet më të rriskuara nga pasiguria e kushteve dhe rreziku i vetë punës  në Shqipëri ?

Profesioni më i rrezikshëm është ai i minatorit, i cili detyrohet të punojë me qindra metra nën tokë. Shpesh me rrezikun e shembjes së galerive, rënie së masivit me gurë. Kemi dhe rastin e minierës së kromit në Bulqizë, ku rrezikohet shpërthimi i vatrave të hidrogjenit brenda pusit minerar.

Duke mbetur te punëtori klasik, do mendojmë pak edhe për punëtorët e fasonerisë (tekstilet). Brenda kapanoneve gjigande ka me qindra punëtorë. Ata punojnë mes solucioneve kimike ngjitëse dhe makinerive të cilat janë gjithashtu të vjetëruara.

Një tjetër kategori e rrezikuar janë edhe punëtorët e ndërtimit. Punëtorët rrezikohen prej mungesës së pajisjeve lidhëse gjatë punimeve në lartësi. Së fundi kemi parë shpesh se aksidentet kanë të bëjnë me rënien e punëtorëve nga skelat e pallateve të larta që po ndertohen.

Cilat janë problematikat e figurës së punëtorit në Shqipëri?

Mund ta nisim duke thënë se në çdo vend pune vështirësitë praktike janë të pashmangshme. Duhet veçuar fakti se në Shqipëri këto vështirësi minohen më tepër, për shkak të disa faktorëve tërësisht socio-politike.

Si fillim, infrastruktura në vendet e punës fillon nga punëtori. E kur themi punëtor, kemi në mendje punëtorin klasik të prodhimit apo shërbimeve më të përhapura. Ai po përballet me vështirësi dhe rreziqe që janë edhe elementare në librat klasikë të sigurisë në punë.

Çfarë ndodh me përfaqësimin e sindikatave lidhur me këto problematika?

Parimisht ngritja e sindikatës vjen si nevojë jetësore. Fillon nga mungesa e një shteti social që kujdeset si për klasat dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë. Nuk kujdeset për ata që prodhojnë e ndërtojnë për shoqërinë, që punëtori të mos jetë i harruar në guvën e  vendit te punës.

Ai nuk i ka kushtet minimale të sigurisë dhe shteti ia lë gjithçka në dorë pronarëve. Menaxhimi i këtyre kushteve kryhet pa aktivizuar mekanizma të cilat do krijonin balancë.

Balancë mes dëshires për të rritur fitim-prurjen, me idenë e punëtorit si subjekt me vlerë në shoqëri. Figurë e denjë për kushte të mira pune dhe një jetë sa më afër njerëzores.

Për t’iu kthyer pyetjes, problematika e “sindikatës” është në premisat e saj. Mungesa e një lëvizjeje sindakale të pavarur, nga funksionet shtetërore dhe lidhjet e saj të interesit.

Kjo do të bënte që herë pas here, të nxiste presion tek strukturat përkatëse. Stimul për të siguruar kushte më të mira pune, paga dhe sigurimin e jetës për profesionet më të rrezikuara nga vetë natyra e punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore