Shqipëria

Është zhdukur realisht COVID-i në Shqipëri?


Vera e vitit 2022 duket shumë më e qetë se sa ajo e vitit 2021, ku pasojat e virusit COVID-19 janë lehtësuar së tepërmi, ndërsa rastet janë shumë më sporadike se sa ato të një viti më parë.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se COVID-i është zhdukur tërësisht, por bashkëjetesa me të është bërë shumë më e thjeshtë.

Këtë e vërtetojnë edhe vetë shifrat, të cilat reflektojnë ulje të madhe të rasteve të reja apo vdekjeve nga pandemia.

Në Shqipëri veçanërisht, situata e dukshme është ajo ku çdo masë kufizuese është e hequr dhe shifrat janë në mos inekzistente, thuajse…

Dy faktorë janë ato, të cilët merren më së shumti parasysh në këtë rrafsh: rastet e reja dhe vdekjet e lidhura me COVID-19.

Mbi të parën, Shqipëria shfaq ndër shifrat më optimiste të rajonit, me 11.14 raste të reja ditore mesatarisht për milion banorë. Vendi i vetëm nën këtë mesatare është Kosova me 6.33.

Nga ana tjetër, si për rajonin, ashtu edhe për Bashkimin Evropian, shifrat janë shumë më të larta.

Raste të reja për milion banorë në rajon dhe BE, sipas Our World in Data

Fjala bie, Maqedonia e Veriut shkon në 42.60 raste të reja ditore për milion banorë mesatarisht. Serbia është edhe më lart, me 62.81.

Ndërsa, Mali i Zi mban edhe vendin me numrin më të lartë ditor të rasteve me COVID-19 – 115.78 për milion banorë!

Nga radhët e vet Bashkimit Evropian, shifrat nuk janë aq të volitshme sa mendohej se mund të ishin. Mesatarisht, vendet e unionit, ende rrahin në shifrat e 427 rasteve të reja ditore për milion banorë.

Pra, krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, Shqipëria ka numër rastesh ditore 40 herë më të ulët.

Po vdekjet?

Sa u përket vdekjeve, Shqipëria mban rekordin absolut në rajon për numër të ulët, me vetëm 0.05 vdekje ditore për milion banorë. Kjo do të thotë se vdekje nga COVID-19 në vend mund të regjistrohen vetëm një herë në javë ose më pak.

Kosova, po ashtu, gjendet në pozita të volitshme dhe të përafërta me Shqipërinë, me 0.08 vdekje ditore për milion banorë.

Sërish, rajoni gjendet në një situatë më të disfavorshme, ku Mali i Zi kap shifra të 0.23 vdekjeve ditore për milion banorë, Maqedonia e Veriut 0.34 dhe Serbia në 0.54.

Bashkimi Evropian, sërish, është mbi mesatare, ku regjistrohen 1.35 vdekje ditore për milion banorë mesatarisht.

Sërish, në bazë të këtyre të dhënave, Shqipëria shfaq shifra rreth 17 herë më të ulëta se sa mesatarja e BE-së.

Pra, situata është më se e favorshme.

Por a do të thotë kjo se COVID-19 është zhdukur tërësisht dhe nuk përbën më rrezik?

Përgjigja është jo!

Pandemia është ende e pranishme mes nesh, pavarësisht minimizimit tërësor të saj dhe efekteve që sjell.

Përtej lehtësimit të masave, nga mjekët dhe specialistët e fushës, është bërë e qartë se duhet treguar kujdes i shtuar në çdo rast me COVID-19 dhe se disa shtresa, janë ende shumë të rrezikuara.

Lehtësimi më i madh që ndodh, është ai kundrejt ekonomisë dhe turizmit, të cilët do të kenë benefite të shumta nga heqja tërësore e masave.

Sektorët e ndryshëm kanë marrë frymë lirshëm tashmë dhe sezoni turistik është hapur me prenotime të shumta, duke parë heqjen e kufizimeve dhe mbi të gjitha mungesën e kërkesës së një certifikate vaksinimi në hyrje të vendit.

Ndaj, thënë kjo, lehtësimi është i dukshëm. Zhdukja tërësore e virusit? Ende larg…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore