Kosova

“Është qartazi një lloj presioni për Serbinë”, thotë Orliç për letrën e ligjvënësve amerikano-evropianë


Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, ka thënë se letra e kryetarëve të Komisioneve për Punë të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë e disa vendeve të tjera, dërguar kryediplomatëve evropiano-amerikanë ku i kërkohet një qasje më e ashpër dhe më e vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është “qartazi një lloj presioni” për Serbinë.

“Nënshkruesit janë deputetë të shteteve që kanë më shumë se 6000 deputetë, kështu që numri i përgjithshëm tregon se sa rëndësi duhet t’i kushtohet gjithë kësaj çështjeje. Fakti që ata janë kryetarë të disa komisioneve ju tregon përafërsisht se si duhet të trajtohen dhe si”, tha Orliç për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Përkundër se nënshkruesit e asaj letrës janë politikanë me autoritet në vendet përkatëse, kreu i kuvendit serb u përpoq që ta minimizojë rëndësinë e kësaj letre, madje për këtë ai bëri edhe një analogji.

“Çfarë mendoni se do të ngrihej dhe do të reagonte, për shembull, Spanja, nëse Borko Stefanoviç dhe Çuta Jovanoviç [deputetë opozitarë serbë] nga këtu dërgojnë një letër ku kritikojnë kryeministrin spanjoll dhe avokojnë për një Kataloni të pavarur”, deklaroi ai, dhe shtoi se “ata sigurisht që nuk do të tronditeshin shumë”.

Ndërkaq, ai potencoi se në listën e nënshkruesve “janë edhe lobistët e dëshmuar të Kosovës së pavarur”.

Letra e cila u publikua nga gazeta gjermane “Tagesspiegel”, kryediplomatëve evropianë-amerikanë iu kërkohet një qasje më e ashpër dhe më e vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në letrën e nënshkruar mbi të gjitha nga kryetari i komisionit parlamentar për politikë të jashtme në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) Michael Roth dhe kryetari i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Menendez, specifikohet se baza e politikës së përbashkët perëndimore ndaj krizës aktuale në Veri, duhet të jetë fakti se Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale.

“Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Ata që mbrojnë shtetin ligjor dhe demokracinë nuk duhet të qortohen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore