Lajme

“Është mashtrim” – Daçiç për videon që dëshmon se Radojiçiç ishte pjesë e grupit terrorist në Veri


Ilustrim

Ndonëse videoja e publikuar nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tregon qartësisht se pjesë e grupit terrorist, i cili u fut ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë një pjesëtarë të saj, ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, me këtë konstatim nuk është pajtuar Ivica Daçiç.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Daçiç, ka mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e Radojiçiç-it në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Manastirin e Banjskës në Komunën e Zveçanit.

“Është mashtrim, videoja nuk është i ditës kur ndodhi incidenti”, pretendoi Daçiç.

Ivica Daçiç

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se katër sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Edhe gjashtë persona të tjerë janë arrestuar, sipas autoriteteve të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore