Lajme

Është fati i Macron i vulosur, nga reforma e pensioneve?


Nuk kanë të reshtur protestat e qytetarëve francezë lidhur me reformën e pensioneve, të cilën presidenti Emmanuel Macron, në pamundësi për ta kaluar me vota në Parlament, e vulosi me një dekret presidencial, i cili në vetvete, mund të damkosë gjithë mandatin e tij të dytë.

Prej ditësh, mosbindja civile ka qenë epiqendër e gjithë jetës sociale franceze.

Ideja e implementimit është ajo e shtyrjes së moshës së pensionimit, nga 62 vjeç që është aktualisht, në 64.

E gjitha, për të barazuar shpërndarjen e pensioneve në mënyrën e duhur dhe duke marrë parasysh se një skenar i tillë, për shkak të kostove shumë të larta, po kthehet në dhimbje koke për superfuqinë në kontinentin e vjetër.

Numri i të pensionuarve po rritet dukshëm shpejt në Francë, jetëgjatësia po ashtu, ndërsa mosha e pensionimit nuk ka ndryshuar prej kohësh.

Kjo ka bërë që buxheti i shtetit të marrë goditje të mëdha për të përmbushur shpërndarjen e pensioneve në mënyrë korrekte.

Veçse ky arsyetim nuk mjafton sipas francezëve, pavarësisht faktit se Qeveria e ka etiketuar si “jetike” për gjithë vendin shtyrjen e moshës në 64 vjeç.

Një zgjidhje tjetër e dhënë, është edhe ajo e uljes së pensioneve nga një anë, ose nga ana tjetër edhe rritja e kontributeve, për ata të cilët ende janë në gjendje pune.

Sërish, për popullatën asgjë e pranueshme, me 70% të qytetarëve në francezë, kundër çdo lloj reforme të ngjashme.

Madje, argumentet e palës tjetër, kryesisht e formuar nga e djathta ekstreme, janë bërë më të besueshme për qytetarët, pasi pretendojnë se gjendja aktualisht nuk është aq alarmanete sa deklaron Macron dhe Qeveria e tij dhe mbi të gjitha, sipas tyre, një rritje e moshës mund të implementohet në mënyrë më graduale.

Me dy mocione mosbesimi të hedhura për debat në javën e ardhshme, duhet parë se si do të rezistojë Macron në postin e tij dhe se si kryeministrja, Elisabeth Borne, do ta menaxhojë pakicën parlamentare dhe yshtjen e tyre për të zmbrapsur mazhorancën nga vendimi unilateral.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore