Lajme

Escobar sot në Kongres – diskuton “veçanërisht për Kosovën dhe Serbinë”


I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të flasë sot në Komitetin e Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve për angazhimin e administratës amerikane në Ballkanin Perëndimor.

Gabriel Escobar merr pjesë në një sesion të organizuar nga Nënkomiteti për Evropën, Energjinë, Mjedisin dhe Teknologjinë e Lartë.

Trupi ka njëzet anëtarë, njëmbëdhjetë prej të cilëve janë nga Partia Demokratike dhe nëntë nga Partia Republikane.

Escobar do të flasë për politikën amerikane ndaj Ballkanit në kohën e tensioneve më të theksuara në rajon, “kryesisht ato mes Prishtinës dhe Beogradit”, në Mal të Zi, por edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, shkruan “Zëri i Amerikës”.

Në prag të fjalimit, Escobar tha në një fjalim para pjesëmarrësve të Forumit të Njëmbëdhjetë të Sigurisë të Beogradit të organizuar në Serbi përmes një lidhjeje video se “shumë e shikojnë Ballkanin Perëndimor përmes prizmit të viteve 1990, ndërsa Uashingtoni e bën këtë përmes prizmit të shekullit të 21-të”.

“Dëshira e Shteteve të Bashkuara është që të gjashtë vendet e rajonit të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Këto janë vende evropiane, disa prej të cilave kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm dhe anëtarësimi në BE nuk do të përbënte kërcënim për anëtarët ekzistues të Bashkimit, por një mundësi e madhe”, tha Escobar.

Si një nga sfidat më të mëdha, Escobar përmendi bisedat e politikanëve për problemet e viteve 1990, ndonëse, siç theksoi, ato duhet të ishin zgjidhur shumë kohë më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore