Lajme

Escobar: Pajtimi në Ohër është Marrëveshje “në të gjitha aspektet”


Gabriel Escobar

Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, tha se pajtimi i arritur më 18 mars në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

Escobar tha të hënën se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, ndërsa shtoi se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Rruga evropiane [e Kosovës dhe Serbisë] është jashtëzakonisht e kushtëzuar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha top-diplomati amerikan, dy ditë pas diskutimeve maratonike mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Escobar e cilësoi marrëveshjen si “historike” dhe theksoi se do të ndihmojë partnerët evropianë që palët të mund të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes. Ndërkaq, për Serbinë tha se duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje”, nënvizoi ai, ndërsa kur u pyet se cili është modeli më i mirë evropian që mund të përdorej si shembull për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai tha se i përket popullit të Kosovës të vendosë.

“Brenda kësaj ka shumë modele dhe shumë opsione dhe ne shpresojmë se do të kemi bisedime me të dyja palët që të mund të arrijmë, jo vetëm te një opsion i përbashkët, por te një opsion atraktiv”, tha Escobar.

Megjithatë, ai tha se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet t’iu shërbejnë njerëzve në rajon, të funksionojë për të dyja shtetet dhe që “të mos shkelë strukturën e Kushtetutës [së Kosovës], apo të prek funksionalitetin” e shtetit të Kosovës.

Kosova dhe Serbia, më 18 mars u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Marrëveshja për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç vlerësojnë njohësit e së drejtës ndërkombëtare, ndonëse nuk është nënshkruar, është juridiksht e detyrueshme për të dyja palët.

Tash Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kryeministri Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore