Kosova

Escobar: Ka indikacione që Vuçiç-i mund ta pranojë planin për shtensionim, Kurti ende po mendohet


Gabriel Escobar

Zëvendës-ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit dhe mbikëqyrës i politikave amerikane në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një bisedë me gazetarët kroatë, ka potencuar se plani franko-gjerman i mishëruar tashmë në një Marrëveshje për të cilën Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u dakorduan fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars është “i mirë” dhe se mos-pranimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje është “një mundësi e humbur”.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, siç po raporton mediumi kroat “Direktno”, i ka thënë gazetarëve të pranishëm se ka “indikacione pozitive” se Beogradi mund ta pranojë planin tre-pikësh të Bashkimit Evropian për të shtensionuar situatën në Veri të Kosovës, por nuk mund të thotë të njëjtën gjë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Shpresojmë që Kurti në një moment të përmbushë kërkesat evropiane dhe amerikane”, ka thënë Escobar.

I pyetur se çfarë pasojash mund të ketë kjo për Kosovën dhe nëse njëra prej tyre do të ishte tërheqja e KFOR-it, top-diplomati amerikan ka thënë se kjo mundësi “nuk është në tavolinë”, duke shpjeguar se për Kosovën masat nënkuptojnë largim nga partnerët e ngushtë ndërkombëtarë në rajon ndërsa për Serbinë largimi nga rruga për në BE.

“Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin e Kosovës, jo me një parti apo një figurë politike”, ka potencuar ai.

Sipas tij Kosova po humbë një mundësi meqë po refuzon në këtë fazë të koordinohet me partnerët e saj.

“Kjo nuk është një masë ndëshkuese, është një mundësi e humbur. Kjo është ajo që po ndodh me Kosovën tani sepse nuk po koordinohet me partnerët e saj”, ka theksuar Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore