Kosova

Escobar: Gjithëpërfshirja është çelësi për Ballkanin Perëndimor


Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar në Forumin e Sigurisë në Beograd është shprehur që Ballkanit Perëndimor i duhen liderë politikë që janë të përkushtuar në integrimet evropiane.

“Çelësi për Ballkan Perëndimor më të fuqishëm është ai i cili krijon gjithëpërfshirje, integrim, pajtim etnik dhe jo politika nacionaliste”, ka thënë Escobar.

Sipas tij, njëra nga sfidat më të mëdha mbetet se shumë politikanë nuk e kanë ndryshuar mënyrën e të menduarit.

“Ne kemi nevojë për politikanë të përkushtuar të Bashkimit Evropian, por për fat të keq kjo nuk është gjithmonë kështu. Shohim disa tendenca shqetësuese në përqendrimin e pushtetit në partitë politike dhe koncentrimin të mundësive ekonomike te njerëzit që janë të lidhur me paritë politike”, ka thënë Escobar.

Ai ka shtuar se ende po diskutohet për çështje të viteve 1990, të cilat është dashur të zgjidhen me vullnet politik shumë kohë më parë.

Ndërsa, ka theksuar se mes të tjerash politika e çdo administrate amerikane, duke filluar nga ajo e ish-presidentit, Bill Clinton, ishte që të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen shpejt pjesë e BE-së dhe se rajoni do të mund të llogarisë në SHBA-në si partnere.

Forumi i Sigurisë në Beograd.

“Shumë vende kanë shënuar përparim të madh dhe shpresoj se së bashku me kolegët tanë evropianë do të kemi sukses të bindim anëtarët se ata nuk janë rrezik sa janë mundësi”.

Sekretari amerikan i Shteti për Evropën dhe Euroazinë, po ashtu deklaroi mbështetje për bashkëpunim ekonomik ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, “qoftë përmes Tregut të Përbashkët Rajonal apo nismës Ballkani i Hapur”.

Në anën tjetër, Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ka potencuar se anëtarësimi i Shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë.

Ai ka shtuar se “Prishtina dhe Beogradi duhet të shfrytëzojnë mundësinë për arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse, ligjërisht obliguese”.

“Rikthimi i bashkëpunimit dhe angazhimit të BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin është shenjë e unitetit transaltantik”.

Sipas tij, dialogu i ndërmjetësuar nga BE është e vetmja platformë për zgjidhjen efikase të çështjes së Kosovës.

“Fakti që u arrit një marrëveshje për targat në Bruksel tregon se dialogu mund të sjellë rezultate”, ka thënë Giaufret.

Forumi treditor i Sigurisë në Beograd, është hapur më 26 tetor.

Në këtë forum diskutohen efektet e pandemisë, pasigurinë ekonomike, krizën e demokracisë dhe rritjen e autoritarizmit, ksenofobisë dhe mosbesimit në botë.

Më shumë se 80 ekspertë të njohur në gjithë botën marrin pjesë në këtë organizim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore