Lajme

“Shtensionimi, zgjedhje të shpejta në veri dhe rikthimi në dialog”, tri kërkesat e Escobar-it dhe Lajçak-ut për Kurtin


“Shtensionimi, zgjedhje të shpejta në veri dhe e treta rikthimi në dialogun për normalizim”.

Këto kanë qenë kërkesat e të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak që ia kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit gjatë takimit 2 orësh në objektin e Qeverisë.

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçak para gazetarëve.

Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave “legjitimë” dhe që përfaqësojnë qytetarët.

“Mund t’ju them se shtetet anëtare po presin raportin tonë”, shtoi diplomati sllovak.

Ndërkohë, Escobar potencoi se ai erdhi në këtë takim, si mik i Kosovës dhe shtoi se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.

“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, theksoi Escobar.

Diplomati amerikan ka shtuar se “jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj”.

“Po kërkoj vetëm të dëgjohemi”, shtoi ai, derisa e ka dënuar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan nga protestuesit serbë.

Të dy diplomatët, të martën do të takohen edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe më pas me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.

Në këtë takim të pranishëm do të jenë edhe krerët tjerë të opozitës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas Kosovës, Escobar dhe Lajçak do të shkojnë për vizitë edhe në Serbi.

Ndryshe, Bashkimi Evropian përmes një deklarate ka kërkuar që sa më parë të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore