Kosova

Escobar dhe Lajçak diskutojnë në Washington për dialogun Kosovë-Serbi


I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gabriel Escobar dhe emisari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gabriel Escobar dhe emisari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, do të mbajnë diskutim publik lidhur me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në Washington.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Këshilli Atlantik.

“Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak i bashkohen Këshillit Atlantik për të diskutuar zhvillimet e fundit në rajon, dialogun Beograd-Prishtinë, bashkëpunimin SHBA-BE në rajon dhe strategjitë për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit”, thuhet në komunikatë.

Nga momenti kur dy liderët u pajtuan në Ohër (18 mars) për sekuencimin e Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt), ata duket të kenë bërë hapa drejt një “lufte të ftohtë”, ndërsa bashkësia e organizuar ndërkombëtare s’i ka gjetur akoma instrumentet që palët të binden për de-eskalim të situatës në Veri që nisi me 26 maj.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, duke qenë i vetëdijshëm se energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi, paralajmëroi “takim për menaxhimin e krizave” – çfarëdo që do të thotë kjo – mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, gjatë kësaj javë në Bruksel.

Megjithatë, thirrjes së kryediplomatit evropian nuk i janë përgjigjur pozitivisht as kryeministri Kurti e as presidenti Vuçiç – të paktën jo deklarativisht dhe jo deri më tani – ndërsa kanë ashpërsuar retorikën ndaj njëri-tjetrit, me akuza reciproke për nxitje të konfliktit në veri të Kosovës.

Ndryshe, shpesh është thënë se negociatat kanë “normalizuar idenë e normalizimit”, por nuk kanë prodhuar një ujdi që do të normalizonte realisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Përkundrazi, raportet mes Kosovës dhe Serbisë kthehen në gjendje edhe më të keqe pas çdo takimi në Bruksel.

Po qe se dëshirohet të shmanget konflikti i mëtejmë, mësimi nga episodi i dhunshëm në veri të Kosovës është se kërkohet angazhim i hershëm para se njëra apo pala tjetër t’i futen spirales së dhunës dhe të bëjnë që zgjidhja e balancuar në frymën e kompromisit të jetë e pamundur.

Ndërkaq, thuhet se kriza qëndron në dramatizimin e së tashmes për ata të cilët kanë një agjendë për ta ndryshuar gjendjen, kurse në “luftën” për ndryshim të realitetit në terren, nuk ka fitues. Në veri të Kosovës realisht ka çdo gjë nga pak përpos lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore