Lajme

Erotika në antikitet – pamjet eksplicite nuk konsideroheshin të turpshme në Pompei


Afreska erotike në Pompei

Një ekspozitë e artit erotik, e gjetur nën rrënojat e qytetit të Pompeit – qyteti romak i shkatërruar nga vullkani – do të shërbejë si dëshmi për t’iu treguar njerëzve se pamje të tilla, në atë kohë, gjendeshin tek të gjitha shtresat e shoqërisë dhe ato nuk përbënin asgjë skandaloze ose të turpshme.

Rreth 70 relikte, përfshirë dy medaljone të dekoruara me imazhe të satyrus (dashnor i rryer në mitologji) dhe nimfave (dashnore), do të shfaqen në Parkun Arkeologjik në Pompei më 21 prill, shkruan “The Guardian”, përcjell Albanian Post.

Për më tepër, vizitorët do të kenë mundësi të bëjnë shëtitje, ndihmuar nga një aplikacion, me anë të të cilit mund të shikojnë shtëpitë me afreske erotike, përfshirë atë që u gjet në vitin 2018.

Aty shihet zoti i fertilitetit, Priapus, dhe një tjetër duke treguar figurën e Leda-s shtatzënë nga zoti romak, Jupiteri, e zbuluar në vitin 2019.

“Normalisht, te shtëpitë e njerëzve të pasur kishte më shumë piktura, por pamjet erotike ishin shumë të zakonshme në Pompei”, tha udhëheqësi i parkut arkeologjik, Gabriel Zuchtriegel.

“Kjo kishte të bënte shumë me atë se si romakët e përdorën kulturën greke si kod kulturor, pasi shumë nga arti i asaj kohe reflekton mitet greke dhe tregimet të marra nga tradita greke”.

Art që tregon njerëz në skena eksplicite seksi është gjetur në shtëpi të zakonshme, njëjtë si ato që ishin gjetur në bordellot antike të qytetit të Romës, që ishte shkatërruar totalisht nga shpërthimi vullkanik në malin Vesuvius 79 vjet para erës sonë.

Afreska erotike e zbuluar në vitin 2018 në një shtëpi në Pompei: Leda dhe Mjellma

“Studiuesit kohë më parë janë përpjekur të përshkruajnë çfarëdo dhome të gjetur me pamje të tilla se është një shtëpi publike”, ka shpjeguar Zuchtriegel, por, “kishte hapësirë për prostitucion edhe brenda shtëpive normale”.

Ekspertët shpesh i kanë interpretuar pikturat erotike si “meny” në shtëpi publike, për çka ofron në atë vend.

“Duket pak se është kështu, meqë ke skena të tilla mbi secilën derë, megjithatë është me shumë rrezik të bëhen thjeshtësime të tilla”, tha Zuchtriegel.

“Jeta e përditshme në antikitet ishte po kaq komplekse sa e jona, dhe është me shumë rrezik të rikonstruktohet se çfarë ndodhte në ato vende thjesht duke gjykuar nga disa piktura”.

Ekspozita gjithashtu do të tregojë edhe art që ka skena homo-erotike dhe përfshinë një statujë të gjetur në Casa del Bracciale d’oro, ose Shtëpia e Bracelet të Artë, një nga shtëpitë më të pasura në Pompei.

Aty shihet një djalë i ri, duke i shërbyer zotërisë së tij në një festë, ndërsa kishte edhe skena erotike.

“Njerëzit i shohin imazhet erotike në Pompei dhe pikasin liri, por edhe ata kishin rregulla të shkruara e të pashkruara, dhe nuk ishte në fakt kjo botë me kaq shumë liri”.

“Ja, për shembull, homoseksualiteti. Sigurisht se ishte i toleruar, por kjo nuk nënkupton se ishte kaq i përhapur dhe kaq i pranuar sa mendojmë sot”.

Kjo ekspozitë është e hapur deri më 15 janar 2023.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore