Sport

Erik ten Hag 2.0, a mundet Ajax-i të përsëris 2019?


Në vitin 2019, Ajax-i ‘trondit’ Evropën me një ecuri mbresëlënse në Champions League. Një skuadër e re, me lojtarë të formuar në akademinë e klubit, të shoqëruar me disa lojtarë me pervojë, ia doli të eleminonte Real Madrid-in dhe Juventus-in.

Dy vite e gjysmë më vonë, Ajax-i duket i gatshëm ta përsërisë atë rrugëtim. Pas paraqitjeve fantastike në fazën e grupeve, ata janë në raundin e të 16-ve, ku do të përballen me Benfica-n.

Nga skuadra e 2019, kanë mbetur shumë pak lojtarë. Daley Blind, kapiteni Dusan Tadic dhe mbrojtësi i djathtë Noussair Mazraoui janë të “mbijetuarit” e vetëm në formacionin e Ajax-it të ri ose 2.0 të Erik ten Hag-ut.

Pjesa më e madhe e asaj skuadre u largua, si: Frenkie de Jong, Matthijs de Ligt, Donny van de Beek, Hakim Ziyech dhe Kasper Dolberg.

Ka dhe nga ata që janë në stol aktualisht si: David Neres, Nicolas Tagliafico dhe Andre Onana. Si dhe ata që u “plakën” me kohën: Klaas Jan Huntelaar dhe Lasse Schone.

Pavarësisht kësaj, Ajax-i ka ndërtuar një skuadër të re që mund të konkurojë, në nivel të lartë. Dhe e gjitha kjo, në një periudhë të shkurtër kohore.

Ata e mbyllën fazën e grupeve me gjashtë fitore në po kaq ndeshje. Shënuan 20 gola dhe pësuan vetëm pesë. Një tjetër rekord absolut i të besuarve të Ten Hag-ut.

Kush e përbën ekipin e sotëm të Ajax-it dhe çfarë i bën ata kaq të mirë?

Skuadra e re, trajneri i njëjtë

Faktori më i rëndësishem në suksesin e vazhdueshëm të Ajax-it nuk është një lojtar, por trajneri, Ten Hag-u. Që kur mbërriti në klub ne 2018, taktikat e tij kanë formuar një makineri sulmi.

Që kur ai u vendos në stolin e Ajax-it, ata kanë fituar pothuajsë çdo trofe në Holand. Madje, falë tij, shkuan për herë të parë pas 23 vitesh në gjysmëfinalen e Champions League.

Kanë shënuar mbi 500 gola në rreth 190 ndeshje. Gjithashtu, Ajax-i ka mundur të arrijë fitoren më të thellë në historinë e Eredivisie, 13-0 përballë VVV Venlo.

Asnjë trajner në historinë e futbollit holandez nuk ka pasur një ndikim si Ten Hag-u në 100 ndeshjet e tij të para në krye te Ajax-it. Por nuk janë vetëm rezultatet. Është kryesisht mënyra e lojës së Ajax-it që te  terheq me shume.

Tekniku e ka bërë skuadrën që të bëjë presion në mënyrë agresive, duke synuar rifitimin sa më të shpejtë të topit dhe sa më lartë në fushë.

Merkato nga Premier League

Për pjesën më të madhe të historisë së futbollit, ka qenë zakon që lojtarët të lëviznin nga Holanda në drejtim të Anglisë. Duket se Ajax-i e ka thyer këtë “rregull” historik, apo traditë.

Me Tadic-in, Blind-in dhe që nga ky sezon, Sebastien Haller-in dhe Steven Berghuis-in, Ajax ka katër ish-lojtarë të Premier League-s në njëmbëdhjetëshen fillestare.

Tadic-i është padiskutim një nga pikat më të forta të Ajax-it. Në 165 ndeshje në të gjitha garat, ai është përfshirë në 157 gola, të gjitha duke luajtur si anësor.

Lojtari serb konsiderohet si një nga futbollistët që krijon më shumë raste në Evropë. Që nga vitit 2018, askush nuk ka krijuar më shume raste në Champions League se ai.

Blind është gjithashtu një tjetër emër jetik për skemat e Ten Hag-ut. Në sezonin aktual në Champions, vetëm Marlon Santos-i i Shakhtar-it ka kryer më shumë pasime përpara se ai (124). Ndërsa, radhitet i treti (54) pas Antonio Rudiger-it (67) të Chelsea-t dhe Joshua Kimmich-it (57) të Bayern Munich-ut për pasimet në 30 metrat e fundit.

Megjithatë, njeriu kryesor i skuadrës aktuale të Ajax-it është pa dyshim Haller. Duke shënuar katër gola në debutimin e tij në Champions përballë Sporting-ut, sulmuesi francezo-Ivorian heshti kritikët.

Ai la shumë shpejt pas krahëve periudhën te West Ham-i. Sipas “Opta”, ai vendosi rekord pasi shënoi nëntë gola në pesë ndeshjet e para në Champions. Asnjë më parë nuk e ka arritur një shifër të tillë. As Lionel Messi dhe Crisitiano Ronaldo. Fazën e grupeve e mbylli si golashënues, me 10 gola.

Berghuis-i gjithashtu la pas periudhën e errët në Premier League. Ai u shndërrua në tjetër lojtar me Ajax-in. Ish-kapiteni i rivalëve të Feyenoord-it që shkëlqen me fanellën e Ajax-it, tingëllon çuditshëm, por rasti i Berghuis-it është i tillë.

Akademia e Ajax-it

Tradicionalisht nuk janë nënshkrimet e mëdha ato që tërheqin vëmendjen e njerëzve që punojnë për Ajax-in. Janë lojtarët e rinj që vijnë nga akademia e tyre, më e famshmja në botë.

Pas Matthijs de Ligt-it dhe Donny van de Beek-un në 2019 kanë dal disa të tjerë, që sot po shpërthejnë me skuadrën e parë.

Ryan Gravenberch-i natyrshëm dallohet si një nga talentet më premtues të Ajax-it. Ai theu rekordin e Clarence Sedorf-it si lojtari me moshën më të re që debuton me Ajax-in, vetëm 16-vjeç e 130 ditë.

Jurrien Timber-i është një tjetër talent premtues. Qendërmbrojtësit 20-vjeçar, ajo që i mungon në fizik, e kompenson me teknikën e tij me topin.

Por, talenti më emocionues i kësaj skuadre të Ajax-it është një brazilian. 21-vjeçari Antony mbërriti nga Sao Paulo në vitin 2020 dhe pas një viti, është bërë një nga anësorët më kërcënues në Champions këtë sezon.

2019 përsëri?

Krahasuar me skuadrën e vitit 2019, aktualja vetëm se duket më e pjekur, por edhe më efektive. Përveç, ish-lojtareve nga Premier League dhe te rinjeve premtues vlen te permenden edhe amerikano-latinet si Lisandro Martinez-it dhe Edson Alvarez-it, pa haruar dhe portierin 38-vjeçar, që kaloi çdo pritshmëri, Remko Pasveer-in.

Pika e kthesës së Pasveer-it duket se ishte ndeshja në shtëpi kundër Borussia Dortmund-it, në të cilën ai u bë portieri i parë që shpëtoi tre goditje në portë nga Erling Haaland-i ne Champions.

Pra, çfarë ka më pas? Me mediat ndërkombëtare si “L’Equipe” dhe “La Gazzetta dello Spor” që lavdërojnë Ajax-in dhe paralajmërojnë pjesën tjetër të elitës evropiane që të kujdeset për holandezët e rrezikshëm, Ten Hag-u nuk do të nënvlerësohet.

Ai e di se çfarë mund të bëjnë të besuarit e tij. “Ne duam të arrijmë më tej në Champions League, duam të bezdisim klubet elitare në Evropë”, citohet të ketë thënë ai.

Dhe shanset janë, ata mund t’ia dalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore