Lajme

Erdogan nuk mbështeti aplikimin e vendeve skandinave në NATO, SHBA-të do të sqarojnë pozicionin e Turqisë


Shtetet e Bashkuara po punojnë për të sqaruar pozicionin e Turqisë për anëtarësimin e mundshëm të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Këtë e ka bërë të ditur diplomatja më e lartë amerikane për Evropën në Departamentin e Shtetit, pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se Ankaraja nuk është në mbështetje të ofertës së të dy vendeve për t’iu bashkuar aleancës.

Erdogan tha se nuk ishte e mundur që Turqia anëtare e NATO-s të mbështeste planet e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me paktin duke pasur parasysh se vendet nordike ishin “shtëpia e shumë organizatave terroriste”.

Në një telefonatë me gazetarët, Karen Donfried, Ndihmës Sekretarja për Evropën dhe Çështjet Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, tha se tema do të diskutohet në takimin ministror të NATO-s gjatë fundjavës në Berlin. Ndërsa ministrat e Jashtëm nga Turqia, Suedia dhe Finlanda ndër të tjera do të marrin pjesë në diskutim.

Në takimin e NATO-s në Berlin do të marrë pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ai do të zhvillonte një takim dypalësh me homologun e tij turk Mevlut Cavusoglu.

“Për sa i përket komenteve që ka bërë presidenti Erdogan, ne po punojmë për të sqaruar pozicionin e Turqisë”, tha Donfried.

Megjithëse Turqia ka mbështetur zyrtarisht zgjerimin e NATO-s që kur u bashkua me aleancën e udhëhequr nga SHBA-të 70 vjet më parë, kundërshtimi i saj mund të përbëjë një problem për Suedinë dhe Finlandën duke qenë se anëtarët e rinj kanë nevojë për marrëveshje unanime.

Donfried ishte e kujdesshme në komentet e saj dhe në mënyrë të përsëritur tha se administrata e Biden-it fillimisht duhej të kuptonte plotësisht pozicionin e Ankarasë për këtë.

“Nuk e kam të qartë se Turqia po thotë se do të kundërshtojë. Turqia dhe Suedia kanë punuar në mënyrë shumë efektive në kontekstin e NATO-s”, përfundoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore