Lajme

Erdogan e konsideron të “rrezikshme” të ndihmojë Ukrainën me tanke


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vlerësoi me kujdes vendimin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane për të dërguar tanke luftarake në Ukrainë për të mbështetur aftësitë e saj mbrojtëse në sfondin e një pushtimi në shkallë të plotë të Federatës Ruse.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta vendase “Hurriyet”, duke cituar intervistën e Erdogan-it për transmetuesin “TRT” të mërkurën.

“Ne presim mbështetje për paqen nga Evropa dhe bota. Negociatat janë në vazhdim. A është dërgimi i tankeve nga SHBA-të dhe Gjermania një zgjidhje? Nuk mund të them se kjo është një zgjidhje. Është e rrezikshme dhe përfitojnë tregtarët e armëve”, cilësoi presidenti turk.

Duke komentuar luftën ruso-ukrainase, Erdogan theksoi edhe një herë se “asnjë vend evropian nuk ishte aq i guximshëm sa ne” kur ishte fjala për zgjidhjen e konfliktit.

“Ne morëm pjesë në vendimet për korridorin e grurit, shkëmbimin e të burgosurve dhe ndihmat humanitare”, ka renditur lideri turk.

Kujtojmë se më 25 janar qeveria gjermane shpalli zyrtarisht vendimin për transferimin e tankeve kryesore luftarake Leopard 2 në Forcat e Armatosura dhe lejimin e rieksportit në vende të tjera që gjithashtu dëshirojnë ta bëjnë këtë.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi sigurimin e 31 tankeve M1 Abrams për Ukrainën.

Të martën, kryediplomati ukrainas Dmytro Kuleba, njoftoi se sipas rezultateve të premtimeve të para nga partnerët, Ukraina duhet të marrë nga 120 deri në 140 njësi tanke moderne perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore