Lajme

Erdogan dekoron ushtarët e FSK-së me medaljen presidenciale për kontributin e dhënë pas tërmetit shkatërrues në Turqi


Rexhep Erdogan

Ekipi i kërkim-shpëtimit i Forcës së Sigurisë së Kosovës është dekoruar me medalje presidenciale nga presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, për kontributin e dhënë pas tërmetit shkatërrues që kishte ndodhur në Turqi në fillim të shkurtit.

“Në ceremoninë e dhënies së medaljes presidenciale dhe urdhrit të shërbimit të shquar humanitar, pas tërmeteve të gjashtë shkurtit, në pjesën jugore të Turqisë, Republika e Kosovës ishte ndër vendet e dekoruara me medalje nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

Mund të jetë një imazh i 2 persona

Po ashtu, aty thuhet se “kjo medalje është meritë e kontributit të pakursyer të ekipit të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

Ndryshe, pas dy javësh që kishin kaluar në Turqi, për të ofruar ndihmën e tyre pas tërmetit të tmerrshëm që ndodhi atje ku vdiqën 41 mijë persona, pjesëtarët e Forcave te Sigurisë së Kosovës ishin kthyer në Kosovë, derisa ishin nderuar me medalje nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Kemi dalë këtu që të ju dëshirojmë mirëseardhje dhe të ju falënderojmë nga zemra për punën dhe guximin. Andaj, këto medalje të merituara janë dëshmi e vëmendjes tonë, dëshmi e mirënjohjes tonë për guximin e treguar në republikën e Turqisë, pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës”, kishte thënë Kurti.

Ai kishte theksuar se “e dimë që së paku katër jetë janë të shpëtuar nga ju, por janë edhe mbi 50 kufoma janë nxjerr nga rrënojat në Hatay”.

“Është obligim i yni humanitar, por në të njëjtën kohë është edhe detyrë e jona si partnerë, si aleat dhe si shtet e popull mik i Turqisë, që të ju gjendemi atyre në ndihmë atyre në këto ditë të vështira dhe kjo u realizua pikërisht nëpërmjet jush – të cilët pa humbur kohë u nisët brenda disa orëve për Turqi dhe më pastaj qëndruat deri më tani duke u përpjekur me krejt çka mundeni dhe dini që të shpëtoni jetë, ti nxjerrin njerëzit nga rrënojat, fatkeqësisht në shumicën e rasteve ata të vdekur, por njëkohësisht të kujdeseni edhe për ata të cilët kishin nevojë”.

Mbarë bota ihste tronditur nga bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, për shkak të tërmetit, ku mbi 46 mijë persona, kishin mbetur të vdekur në total.

Vetëm në Turqi, bilanci kishte shkuar në 41 mijë viktima.

Situatë tepër e rëndë ishte edhe në Siri, ku 5 mijë e 700 persona kishin humbur jetën nga tërmeti.

Për dy javë të plota, mbi 100 mijë ekspertë të kërkim-shpëtimit, përfshi edhe ata nga 95 vende të botës, të cilët shkuan menjëherë në ndihmë për Turqinë, u angazhuan në misione në vende të ndryshme.

Të prekur ndërkaq nga tërmeti, vetëm në Turqi ishin 13.5 milionë njerëz, të cilët jetonin në një rreze prej 450 kilometrash nga epiqendra, duke përfshirë rajone të mëdha si Adana, apo Diyarbakir e Hatay.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore