Enver Petrovci, racisti urban që po ecë në rrugën e trasuar nga Lëvizja Vetëvendosje
Foto: Albanian Post
Dini Fetahu
27.03.2024 15:24Gjuha përçmuese dhe raciste ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që së fundmi u rikthye në diskursin publik nga aktori Enver Petrovci – përkrahës i hapur i pushtetit aktual – nga njohësit e fenomeneve sociale, Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht kryeministri Albin Kurti, po konsiderohen si shkaku që trasuan rrugën në këtë drejtim, duke qenë se të njëjtit, përveç që kanë luftuar e sulmuar vazhdimisht udhëheqësit e luftës çlirimtare, kanë rehabilituar një numër të konsiderueshme të personave që kanë qenë pjesë dhe përkrahës të regjimit jugosllav – por edhe pasardhësit e tyre – në pozita të larta shtetërore.
Petrovci, një aktor i njohur, në një intervistë për televizionin publik, saktësisht në emisionin “Show i së Premtes me Adelina Ismajli”, i pyetur për të komentuar paraqitjen artistike të politikanëve të caktuar – ku bëri me dije se është një adhurues i paraqitjeve të ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha – filloi të thur lavde për kryeministrin Kurti, dhe të përqesh e nënçmoi në terma raciste ish-udhëheqësit e luftës, një pjesë e tyre të shndërruar më pas në politikanë kryesorë në vend.
Në vlerësimin e Petrovcit, një jugosllav i shprehur publikisht, Kurti është më i lexuari nga të gjithë politikanët e tjerë dhe e konsideroi si një njeri të bërë vetë, derisa për njerëzit e luftës tha se “lufta i ka bërë këta”, duke u përpjekur për të relativizuar kështu angazhimin e tyre për çlirimin e vendit.
“Unë mendoj se Albini është ai që është, e nuk është mirë. Sepse Albini s’fulliratë hiç. Ky është ky që është. Kështu mendoj, kështu mendoj”, insistonte ai me plotë bindje. “Ky është shumë i mençëm, jam i sigurt ma shumë ka lexu ky se sa krejt parlamenti bashkë. Ai nuk lexon tash se është bë Kryeministër. Ky ka lexu prej kur është dy vjeç e gjysmë. Nejse mos ta teproj. Kur i ka bë gjashtë vjeç”, shtoi.
“Këta tjerët i ka lind koha”, fliste më nënçmim Petrovci për ish-krerët e luftës.
“Lufta i ka ba këta. Këta kurgjo s’kishin qenë, po mos të kishin qenë në luftë. Kishin qenë do mësuesa, do badigarda. Kurgjo s’kishin qenë hiç. Kishin kalu afër nesh… në televizion s’kishin mujt me hi. Këta i ka bë koha. Albini u bë vetë”, pohoi ai me një gjuhë të racistit urban.
Por, realiteti në mes të deklaratës së Petrovcit dhe vërtetës ka në mes një mal të madh. Lufta nuk i ka bërë krerët e UÇK-së, si Hashim Thaçin, Kadri Veselin, apo të tjerët. E kundërta është e vërtetë. Ata e bënë luftën.
Në përpjekjen e tij dëshpëruese për ta argumentuar atë se çfarë tha, Petrovci, që nuk heziton që të tregojë racizmin urban që përfaqëson, mori edhe një shembull tjetër komplet jashtë gjendjes faktike, asaj që në të vërtetë ka ndodhur.
“Unë s’jam kameraman, por në rast lufte mua ma jep kamerën, unë xhiroj, por koha më ka bërë që unë të jem kameraman, dhe unë bëhem kameraman, s’është problem”, ishte shembulli i tij.
Por, përsëri, si në çdo rast kur tenton ta arsyetojë racizmin urban, Petrvoci dhe e vërteta nuk kanë asnjë emërues të përbashkët.
Ai thotë se po të ma japësh kamerën do të xhiroj, por Petrovci harron – ndoshta me vetëdije – se ushtarëve të UÇK-së, nuk ua dha askush armët për të luftuar, ata i morën vetë – në shumë raste tejet me vështirësi – për të kundërshtuar regjimin që i poshtëronte, nënshtronte, ua mohonte të drejtat e çka jo tjetër.
Për këtë qasje raciste të Petrovcit, Albanian Post ka biseduar me sociologun Shkodran Ramadani.
Sipas Ramadanit, intervista e Petrovcit është edhe një rikujtues që përkundër dëshirës së njerëzve që paragjykimet edhe ndasitë që janë krijuar përgjatë kohës së Jugosllavisë, sidomos në baza rurale dhe urbane, të tejkalohen, fatkeqësisht ky fenomen ende është prezent në shoqërinë kosovare, meqë, në vlerësimin e tij, ende ka “njerëz, organizata e grupe, të cilat janë të përkushtuara për t’i kultivuar këto ndasi”.
“Ndoshta edhe për t’i thelluar edhe më shumë”, thotë Ramadani për AP.
Enver Petrovci njëri nga këta njerëz, pohon ai, i cili, siç duket “nuk është i kënaqur me rezultatin që e ka sjellë lufta e Kosovës, me faktin se pas lufte, skena politike ka ndryshuar aq shumë që të ketë edhe njerëz, e organizata me sfond nga fshati në krye të vendit”.
“Duket që Petrovci është hyrë aq thellë në rolin e personazheve joshqiptare, pra vazhdon që të flasë në studio televizive sikur të ishte duke luajtur filma në role për të cilat nuk duket se është ndonjë aktor me nam”, mendon sociologu shqiptar.
Përveç tij, Ramadani përmendi edhe një personalitet tjetër që ka të njëjtën prerje me Petrovcin sa i përket kësaj çështje, diskriminimin urban-rural, publicistin Veton Surroi.
“Po qarkullojnë tani edhe deklaratat e Veton Surroit që fliste për rrezikun që mund ta sjellë demokracia, që fshatarët mund të vijnë në parlament dhe të bëhen altoparlant i ideologjisë nacionaliste”, rikujton ai deklaratat raciste të Surroit.
Ka, vlerëson ai, “një rikthim të ndarjeve të bazuara në sfond urban dhe rural”, derisa një gjë të tillë, sipas tij, po haset që nga ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Me qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ardhur edhe eksponentë të kësaj ideologjie kultivuese, të këtij racizmi që tani e ndjenë veten të fuqizuar dhe në një far forme e kanë marrë lejen dhe mandatin prej qeverisë edhe me i plasu në publik këto sentimente, këto stereotipe”, nënvizon ai.
“Këtë e ka mundësuar VV”, insiston ai,” meqenëse 14 shkurti 2021-shit llogaritet si data që i ka dhënë fund sundimit të këtyre komandantëve fshatarë”, shton ai duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve dhe përkrahësve të VV-së, pasi kanë marrë pushtetin.
“Vetë Veton Surroi ka thënë se Kosova frymon lirshëm pas datës 14 shkurt, d.m.th për ta njerëzit frymojnë lirshëm kur munden që t’i nënçmojnë, përçmojnë njerëzit që vijnë nga fshati”, shtoi Ramadani ndër të tjera.
I ashpër në reagimin e tij ndaj deklaratës së aktorit Petrovci ishte edhe analisti politik, Valon Syla.
Ai në një postimi në Facebook, tha se Petrovci pret që pas këtyre deklaratave të përfitojë ndonjë gjë nga presidentja Vjosa Osmani, dhe pushteti, siç ai e quajti, “anti-UÇK i Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Mendoj se Enver ‘Peroci’ qe prezantohet te shqiptarët, ndërsa Petrovci të serbët dhe sllavët e jugut… është njeri ma i poshtër dhe mas mashtruesi prej aktorëve. Me deklaratat e fundit për UÇK-në veç e paska hjek maskën dhe e paska shpërfaq këtë poshtërsi”, shkroi Syla.
Petrovci, përveç aktor, është edhe profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, derisa racizmin e tij kulturor ai nuk e fsheh asnjëherë, madje atë e shfaq edhe në mediat serbe.
Në një intervistë për revistën serbe NIN thoshte: “Më parë, qytetarët ecnin në korso në Prishtinë në mes, dhe në anët e kundërta të rrugës, nga njëra anë fshatarët serbë dhe në anën tjetër fshatarët shqiptarë. Një rom nga qyteti ishte më i afërt për mua sesa një shqiptar nga fshati. Tani kjo ka ikur”.
“Po si po jeton tash”, e pyeste gazetarja, tash që më nuk është ashtu siç ishte.
“Shume keq”, përgjigjet Petrovci, ndonëse Kosova tani është e çliruar dhe është shtet në vete.
Petrvoci, edhe sa i përket filmit nuk është i shquar për ndonjë rol të rëndësishëm. Atë mund ta hasësh shumë shpesh në filmat dhe serialet që realizohen nga një aktor mediokër siç është Halil Budakova.
Përveç kësaj, Petrovci është i njohur edhe për rolin ku e kishte luajtur princin serb, Llazarin – i vrarë në betejën e Kosovës (qershor, 1389).
E veçanta e këtij roli që ishte pranuar nga Petrovci, është fakti se një gjë të tillë, aktorët serbë, për shkak se ishin kundër regjimit të Slobodoan Millosheviç-it, kishin refuzuar këtë rol.
Drejtori i teatrit të Nishit (anëtar i partisë së Millosheviç-it), i gjendur në këto kushte, meqë s’kishte opsione tjera, ia beson rolin Petrovcit, i cili e luan me krenari.