Kosova

Enver Hoxhaj: Vendimi për shkarkimin e Dakës, goditje e rëndë për demokracinë në Kosovë


Pas deputetes, Blerta Deliu-Kodra, ndaj vendimit për shkarkimin e Valdete Dakës, ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë e tij të Facebook-ut, Hoxhaj, ka vlerësuar lartë punën e Valdete Dakës gjatë periudhës që ajo ishte në krye të KQZ-së.

“Viteve të fundit, KQZ ka qenë një prej institucioneve më të besueshme dhe me profesionale në vendin tonë, duke qenë përgjegjëse dhe meritore për zgjedhjet më të mira në rajon vit pas viti”, shkruan ai.

Vendimin e presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e Dakës nga detyra e të parës së KQZ-së, Hoxhaj, e quan “goditje të demokracisë”.

“Ky vendim i një kinse presidente, në shërbim të një kinse kryeministri, është një prej goditjeve të radhës e të rënda që po i bëhet demokracisë të vendit tonë”.

“Për më tepër, ky vendim përbën edhe shkelje të kushtetuese sepse Presidenti i Republikës në asnjë vend që ka demokraci kushtetuese parlamentare nuk mund të shkarkojë asnjërin prej anëtarëve të organit që organizon dhe përgatitë mbajtjen e zgjedhjeve”, ka shtuar Hoxha.

Ai nuk i ka kursyer akuzat drejt, kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

“Dyshja Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë të vendosur për të shkatërruar e kapur secilin institucion kredibil dhe të pavarur në vendin tonë. Në përpjekjet e tyre për të kthyer prapa secilin proces demokratik e shkarkuar secilin zyrtar profesional, sot Vjosa Osmani me urdhërin e Albin Kurtit shkarkoi nga detyra kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka”, është shprehur Hoxha.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka shkarkuar nga detyra e Kryesueses së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Dakën.

Vendimin për shkarkimin e Dakës, e ka bërë publik Zyra për Medie e Presidencës në të cilin thuhet se “ Znj. Valdete Daka i ndërpritet mandati si Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës”.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga të gjitha institucionet relevante dhe duhet menaxhuar nga brenda nga Kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore