Kosova

Enver Hoxhaj për takimin e Kurtit me Vuçiç: Tubim elektoral – jo përfaqësim shtetëror


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka komentuar takimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, takim ky që sipas Hoxhajt ishte një tubim elektoral.

Ai ka theksuar se nëse ka një shtet i cili ka bërë përpjekje çdo herë që ta shtyjë në pafundësi një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, që “ne ta marrim një njohje të ndërsjellë, që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka qenë Serbia”.

“Ky ka qenë një tubim elektoral dhe jo një përfaqësim shtetëror. Kurti me qëndrimin e djeshëm realisht e ka betonuar konfliktin e ngrirë në raport me Kosovën. Kjo është kundër interesit afatshkurtër dhe afatgjatë të Kosovës”, është shprehur Hoxhaj.

Ai në një intervistë në emisionin “Përballje”, ka thënë se pritjet e tij nga Kurti për një takim të tillë ishin më të mëdha.

“Ai është prezantuar pa vizion, pa strategji, pa platformë. Kam pritur që në një takim të tillë, ai duhet të shkonte i përgatitur politikisht, përmbajtësisht dhe i përgatitur në rrafshin diplomatik. Asnjëra nga këto nuk ka ndodhur”, shtoi Hoxhaj.

Sa i përket shkarkimit të ish kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, Hoxhaj ka thënë se ky vendim është shkelje e Kushtetutës së Kosovës.

“Mënyra se si është shkarkuar Valdete Daka është manifestim i një mendësie dhe qasje autoritare. Bëjnë përpjekje që ta kontrollojnë mënyrën e menaxhimit të procesit zgjedhor, bëjnë përpjekje që të kontrollojnë mediat e pavarura, ekonominë e lirë të tregut”, është shprehur ai.

Po ashtu, Hoxhaj ka theksuar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po i shërben kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Presidentja Osmani është e nominuar nga zotëri Kurti dhe i shërben Kurtit. Aty nuk ka kurrfarë dyshimi dhe mendoj se këtë e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës”, potencoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore