Sport

Enigma Donnarumma në Paris


Gianluigi Donnarumma

PSG do të luajë sonte, me fillim nga ora 21:00, për vendin e saj në fazën e 16-të të Champions League kundër Newcastle-it, skuadrës që i shkaktoi një humbje të fortë 4-1 në Angli.

Parisienët mund të kualifikohen matematikisht në fazën e eliminimit direkt të kompeticionit më të lartë kontinental nëse fitojnë dhe Milan-i jo, por një disfatë mund t’i dërgojë ata në vendin e fundit në “grupin e vdekjes”.

Një nga çelësat e ndeshjes që do të zhvillohet në “Parc des Princes” do të jetë Gianluigi Donnarumma. Pas një fillimi spektakolar të sezonit, fantazmat e së shkuarës iu shfaqën italianit të premten kundër Monaco-s.

Në golin e barazimit, portieri gaboi me këmbë, një nga pikat e tij të pakta të dobëta, duke bërë që Minamino të shënojë. Një lojë që padyshim të kujtonte atë të 1/16-tës së Champions League në 2021 kundër Real Madrid-it, kur një gabim i ish-lojtarit të Milan-it, i shkaktuar nga presioni i fortë nga Benzema, bëri që spanjollët të shënonin për 1-1.

Luis Enrique, që nga kohërat e shkuara, ka pasur si premisë që të gjitha ndeshjet sulmuese të nisen nga portierët. Puna e Donnarumma-s me këmbë, në verë, ndezi një debat të gjatë nëse ai ishte i kualifikuar për të qenë titullar për trajnerin asturian.

PSG, në fakt, shkoi aq larg sa të eksploronte tregun në kërkim të një portieri që do të zotëronte teknikën në këmbët e tij, duke nënshkruar me Arnau Tenasin, një ndërkombëtar U-21 me Spanjën, i cili për momentin nuk e ka vënë në dyshim rolin e titullarit nga Gigio.

“Futbolli është një sport gabimesh. Problemi është se kur një gabim bëhet nga një sulmues, asgjë nuk ndodh. Kur e bën një portier, ndihkon shumë. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që të realizohet ideja që dua t’ua përcjell lojtarëve të mi. Gabimet janë pjesë e futbollit. Unë bëj gabime në çdo ndeshje. Sezoni i tij është i jashtëzakonshëm”, deklaroi Luis Enrique të premten, pas fitores 5-2 ndaj Monaco, duke dalë në mbrojtje të Donnarumma-s.

Nëse analizojmë statistikat e italianit me këmbët e tij, shifrat konfirmojnë se puna e tij me këmbë nuk është aspak problem. Ai është ndër portierët me përqindjen më të mirë të pasimeve në Ligue 1, duke grumbulluar më shumë se 90% sukses. Në 12 ndeshje italiani ka tentuar 395 pasime, duke plotësuar 356 pa dështim.

Në Europë, nëse analizojmë më të mirën në këtë aspekt, Marc-Andre ter Stegen (Barcelona), me një përqindje suksesi prej 91.9%, është ndër të paktët që e kalon atë, ndaj të dhënat bien ndesh me rrymën që e konsideron Donnarumma-n si një portier me të meta të dukshme në punën me këmbë.

Në fakt, në dy sezonet e fundit, napolitani ka pasur mbi 85% sukses në pasime (86% dy sezone më parë dhe 90%, ngjashëm me sezonin aktual, gjatë sezonit të kaluar).

Siç thekson gazeta “Le Parisien”, gjatë këtij sezoni, pjesërisht falë ardhjes së Luis Enrique, i fiksuar pas zotërimit të topit, ai prek mesatarisht nëntë topa më shumë se vitin e kaluar, me një përqindje praktikisht të ngjashme suksesi, gjë që tregon se atje ka pasur një përmirësim në numrin e tyre.

Megjithatë, gabimi ndaj Monaco-s të premten e kaluar, pavarësisht se nuk pati asnjë ndikim në rezultat, ka ngritur edhe një herë kritikat në lidhje me aftësinë e Donnarumma-s për të luajtur me topin.

Sonte, Newcastle do të përpiqet të bëjë presion te italiani në çdo situatë në të cilën ai prek topin. Ecuria e tij në portë, megjithatë, është e jashtëzakonshme, duke shpëtuar PSG-në në disa ndeshje në të cilat, nëse jo për pritjet e tij, skuadra mund të kishte shumë më pak pikë sesa ka aktualisht në Ligue 1, 30 në 13 ndeshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore