Lajme

Ende s’ka aktakuzë për rastin e 6 “Gylenistëve” të dëbuar nga Kosova


Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka treguar për Albanian Post se deri ku kanë shkuar hetimet për dëbimin e gjashtë turqve, Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, në Turqi në vitin 2018, nga autoritet kosovare në bashkëpunim me ato turke.

Albanian Post ka dërguar pyetje në adresë të këtij organi të akuzës, por nuk ka marrë përgjigje në pyetjet se në çfarë faze janë hetimet dhe sa persona janë intervistuar deri më tani.

Ndonëse kanë kaluar gati tri vite nga dëbimi i turqve, avokati i familjarëve të “Gylenistësve’, Urim Vokshi tha për Albanian Post se “Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar hetimet për rastin ne fjalë dhe jemi në pritje që aktakuza të ngrihet sa me parë”.

“Duke qenë se në fund të muajit tjetër bëhen tri vjet që nga ngjarja që ka ndodhur vlerësojmë se Prokuroria ka pasur kohë më se të mjaftueshme për të hetuar këtë rast”, tha Vokshi.

Vokshi vlerëson që Prokuroria ka prova të bollshme për ta finalizuar aktakuzën, pasi për këtë kanë shumë referenca.

“Ne veçanti duke marr parasysh edhe punën e bere nga Komisioni Hetimor Parlamentar, Avokati i Popullit, Inspektorati Policor si dhe raportin e OKB lidhur me rastin vlerësojmë se Prokuroria ka prova të mjaftueshme për të gjetur përgjegjësit e rastit dhe për të i sjellë të njëjtit para drejtësisë”.

Ndërkohë, për hetimin e rrethanave të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ishte krijuar Komision Hetimor Parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Në raportin e këtij komisioni janë identifikuar 31 shkelje, duke filluar prej vendimit për revokim të leje-qëndrimeve në Kosovë dhe urdhrit për dëbim me forcë të shtetasve turq, që sipas raportit, ishin në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të këtij Komisioni, ishin bërë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.

I habitur që ende për këtë rast nuk ka aktakuzë, është ish-anëtari i komisionit të lartcekur, Frashër Krasniqi.

“Rasti i “Gylenistëve” është një prej rasteve më problematike të shkeljes së të drejtave të njeriut në vendin tonë. Ne nuk kemi ende ndonjë informacion mbi rrjedhën e procesit pas përfundimit të punës së Komisionit Hetimor Parlamentar që e ka shqyrtuar këtë rast”, potencoi Krasniqi.

Sipas tij, “gjetjet e komisionit kanë arritur të zbulojnë se ka pasur një varg të shkeljeve të ligjeve të ndryshme si dhe të cënimit të të drejtave të njeriut. Ky rast është dëshmuar që ka qenë politik i ndikuar nga jashtë dhe është zhvilluar në shpërputhje me procedurat ligjore të Republikës së Kosovës”.

Krasniqi është i bindur që ka pasur elemente të veprës penale nga instancat shtetërore atëkohë.

“Kanë mjaftuar që Prokuroria të nis hetimet dhe të ngreh aktakuzë”, shtoi ai.

“Megjithëse nuk kam ndonjë informacion në lidhje me procesin në prokurori, në bazë të raportimeve të ndryshme mendoj që rasti është zvarritur pa nevojë dhe po zvarritet edhe më tutje”.

Kritikë ndaj punës së Prokurorisë Speciale sa i përket rastit të “Gylenistëve” është edhe Artan Demhasaj nga organizata ÇOHU.

“Vetëm nëse në bazë të raportit të Komisionit Hetimor, del ose identifikohet ndonjë shkelje shumë flagrante, ndoshta atëherë mund të ketë ndonjë angazhim nga ana e Prokurorisë, edhe ajo më tepër mund të jetë vetëm sa për të pastruar ndonjë figurë se jo për të akuzuar dikë”, theksoi Demhasaj.

Sipas Demhasajt, Prokuroria Speciale e Kosovës, është dashur ta ketë gati aktakuzën, dhe jo të pres raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

“Duke e marrë parasysh që deri tash sa është vonuar ky si proces, vështirë të presim që do të ketë ndonjë aktakuzë nga ana e Prokurorisë, edhe për vetë faktin që deri më tash Prokuroria nuk ka marrë asnjë masë ose nuk ka filluar të zhvillojë asnjë hetim për këtë çështje”.

Atëkohë, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati liruar nga detyra shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.

Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.

 

 

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore