Libra

Enciklopedia e parë franceze


Një prej projekteve më të mëdha intelektuale në historinë e shkencës, Enciklopedia, filloi kur Denis Diderot-it (1713-1784), një prej figurave intelektuale më të mëdha të Iluminizmit Francez, i kërkohet të përkthejë veprën ambicioze të Ephraim Chambers’-it ‘Cyclopedia, ose Fjalor për Artet dhe Shkencat (1728)’, por pasi e filloi ai vazhdimisht ishte i pakënaqur me këtë vepër e cila kishte defekte dhe mungesa të mëdha në njohuri.

Diderot përfundimisht e braktisi atë dhe propozoi një Enciklopedi krejtësisht të re dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i grumbullonte arritjet më të mëdha shkencore të kohës.

Prej Vëllimit të Parë më 1751 dhe përfundimit të saj më 1772, Enciklopedia kishte tejkaluar të gjitha pritjet dhe ishte si asgjë e prodhuar ndonjëherë, me 71,818 artikuj dhe 2,885 tablo.

Këtij monumenti historik të dijes i vendoset thënia e Horacit ‘Exegi monumentum aere perennius’, si një monument më i qëndrueshëm se guri. Enciklopedia ishte dëshmia e një shekulli filozofik, siç shkruante edhe vetë Diderot, dhe në masë të madhe e konsolidoi Iluminizmin si lëvizje intelektuale si dhe reformat sociale që do të synoheshin në Francë.

Enciklopedistët e rishikojnë në themel ‘njohjen’ ose ‘diturinë’, origjinën, qëllimet, prodhimin, dhe përdorimin e saj. Në këtë kuptim Enciklopedinë mund ta vështrojmë si në këndin socio-kulturor dhe çfarë ajo synon të prezentojë si mision dhe sipërmarrje intelektuale, por edhe në atë epistemologjik. Empiricizmi shkencor anglez i John Locke-ut dhe Isaac Newton-it, tanimë kishin gjetur tokë pjellore te mendimtarët francezë, dhe kishin dhënë alternativa të frytshme për një qasje dhe shpresë të re për studimin e gjithçkaje.

Tanimë sistemet shpjeguese idealiste dhe teologjike e kishin humbur fuqinë dhe prestigjin e tyre intelektual dhe horizonti ishte e hapur për studim dhe reflektim të parestriktuar nga dogmatizmat autoritarë. Denis Diderot, Jean Le Rond D’Alembert, Baron d’Holbach, Etienne Bonnot Condillac, La Mettrie, etj, dhe lideri i tyre Voltaire, e rrënojnë në masë të madhe autoritetin dhe legjitimitetin e sistemeve filozofike që kanë ‘gjak’ teologjie krishtere; duke e ç’mistifikuar plotësisht dijen nga doktrinat e ngurta teologjike dhe parimet me të cilat demonstrohej ajo dije.

Enciklopedistët nuk kanë për qëllim të studiojnë ‘Shkaqe të para të pa shkaktuara, ose parime absolutisht të para metafizike, pasi që kjo lloj diturie atyre nuk u shërben.

Ata synojnë mbi të gjitha dije të dobishme, të reduktuar në prodhimin e saj, dhe çfarë relacione ajo dije mban me subjektin njerëzor. Epistemologjia e tyre është tipik utilitariste, që synon të themelojë marrëdhënie racionale, të dobishme, të mjeshtërimit të natyrës, mes individit the botës, dhe në përgjithësi është nën marshin optimist shkencor të proklamuar nga Francis Bacon.

Me përjashtim të Jean Jacques Rousseau-së i cili në Enciklopedinë kontribuonte artikuj mbi muzikën dhe në masë të madhe kishte qasje dhe pozicion të kundërt me enciklopedistët, të tjerët ishin rreshtuar në Arsyen  si udhëheqës për një të ardhme iluministe. Si asnjëherë në historinë e ideve, kjo sipërmarrje intelektuale shënon një zhvendosje tekno-shkencore të dijes, në dijet praktike, prodhuese.

Daniel Brewer nocionin e dobisë apo utilitetit te Diderot dhe D’Alamberi e sheh si “…epistemologji utilitariste, një instrumentalizim i plotë i dijes në shërbim të interesit njerëzor. Në këtë kuptim Enciklopedia është një manifest i epistemologjisë kapitaliste, një dokument themelues i ideologjisë borgjeze.” [1]

Diderot Enciklopedinë e konsideronte një makinë apo fabrikë të dijeve, ku gjithçka është e aranzhuar saktësisht për t’u përdorur në praktikë dhe për të prodhuar rezultate të dobishme, një teknologjizim i dijes në përgjithësi. Ndikimi i saj ishte tejet i madh. Me 17 vëllime, dhe 11 pllaka, dhe nëse llogaritim ribotimet dhe përkthimet, afro 20,000 kopje ishin shitur.

[1] Daniel Brewer. The Discourse of Enlightenment in Eighteenth-Century France; Diderot and the Art of Philosophising. (Cambdrige University Press, 1993) fq. 22

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore