Lajme

Emiratet e Bashkuara Arabe thërrasin ambasadorin e BE-së për komentet e Borrell-it


Emiratet e Bashkuara Arabe thirrën kreun e misionit të delegacionit të BE-së në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo, duke kërkuar shpjegim për komentet “e mundshme” raciste të bëra nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell javën e kaluar.

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se vërejtjet ishin “të papërshtatshme dhe diskriminuese”.

Sipas tyre, ato “kontribuojnë në një klimë të përkeqësuar të intolerancës dhe diskriminimit në mbarë botën”.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar agjencinë shtetërore të Emirateve të Bashkuara Arabe (WAM).

Javën e kaluar, Borrell e quajti Evropën “një kopsht” dhe shumicën e botës një “xhungël” që “mund të pushtojë kopshtin”.

Kjo, gjatë fjalës së tij në Akademinë e re Diplomatike Evropiane në Bruges, Belgjikë.

“Kopshtarët duhet të kujdesen për kopshtin, por ata nuk do ta mbrojnë kopshtin duke ndërtuar mure. Një kopsht i bukur i vogël i rrethuar me mure të larta për të parandaluar hyrjen e xhunglës nuk do të jetë zgjidhje. Sepse xhungla ka një kapacitet të fortë rritjeje dhe muri nuk do të jetë kurrë mjaftueshëm i lartë”, deklaroi politikani spanjoll.

Sipas tij, kopshtarët duhet të shkojnë në xhungël dhe evropianët duhet të jenë shumë më të angazhuar me pjesën tjetër të botës.

“Përndryshe”, theksoi Borrell, “pjesa tjetër e botës do të na pushtojë”.

Përfaqësuesi evropian mohoi se mesazhi i tij ishte racist apo kolonialist, njoftoi agjencia e lajmeve EFE.

“Komentet kishin për qëllim të refuzonin idenë e ‘fortesës së Evropës’ dhe të inkurajonin studentët të angazhoheshin me botën”, shpjegoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore