Lajme

Emetimet e karbonit nga flota globale e SUV-ve tejkalojnë atë të shumicës së vendeve


Rritja e vazhdueshme globale e shitjeve të SUV-ve i shtyu emetimet e tyre në thuajse 1 miliard ton dioksid karboni në vitin 2022.

Kështu ka bërë me dije Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).

330 milionë automjete sportive në rrugë kanë prodhuar emetime të barasvlershme me emetimet kombëtare të kombinuara të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë vitin e kaluar.

Aktivistët e klimës janë gjithnjë e më të shqetësuar për ndikimin e SUV-ve.

Grupi aktivist Tire Extinguishers ka bërë me dije se kishte shfryrë gomat e qindra SUV-ve në Evropë të hënën mbrëma, në prag të përvjetorit të parë të fushatës së tij.

Këto automjete janë më të mëdha dhe më të rënda se makinat e zakonshme dhe përdorin mesatarisht 20 për qind më shumë karburant.

Ndërkohë, rritja e numrit të SUV-ve në vitin 2022 ishte përgjegjëse për një të tretën e rritjes së kërkesës globale për naftë.

Blerjet e SUV-ve janë rritur në vitet e fundit, duke u rritur nga 20 për qind e makinave të reja në 2012 në 46 për qind të të gjitha makinave vitin e kaluar, sipas IEA-së.

Rritja vazhdoi në vitin 2022 dhe përfshin rritje të konsiderueshme në SHBA, Indi dhe Evropë, pavarësisht se numri i përgjithshëm i makinave të shitura ra paksa.

Rreth një në gjashtë SUV të shitura në vitin 2022 ishin elektrike. Por ekspertët e IEA-së kanë thënë se “SUV-të elektrike po rriten në popullaritet, por jo aq shpejt sa për të kompensuar konsumin në rritje të naftës dhe emetimet e flotës më të gjerë”.

“SUV-të elektrike kërkojnë gjithashtu bateri më të mëdha për t’i fuqizuar ato, kështu që një treg në rritje i SUV-ve elektrike do të impononte presion shtesë mbi zinxhirët e furnizimit të baterive dhe do të rriste më tej kërkesën për mineralet kritike të nevojshme për prodhimin e baterive”.

Sakaq, aktivistët pretendojnë se kanë shfryrë më shumë se 10 mijë goma vitin e kaluar në 17 vende, përfshirë SHBA-të dhe Zelandën e Re.

Julia Poliscanova, drejtoreshë e lartë për automjetet dhe lëvizshmërinë në grupin evropian të fushatës Transport & Mjedis, ka thënë se “prodhuesit e makinave po shkatërrojnë makinat e vogla në kërkim të fitimit”.

“VW, Stellantis dhe BMW kanë thënë të gjithë se po lëvizin drejt shitjes së më pak makinave dhe fokusimit në më shumë modele SUV premium. Por makinat më të mëdha ushtrojnë më shumë presion mbi planetin”, ka theksuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore