Lajme

Emërimi i Rashiç rrezikon të prodhojë një problem edhe më të madh se ai me targat


Foto nga Albanian Post

Pak ditë pas daljes nga një krizë bllokuese për çështjen e targave në Veri, me shpresë se dialogu do ketë hapësirë për diskutim të marrëveshjes përfundimtare mes Kosores e Serbisë, kriza mund t’i rikthehet situatës – me tensione edhe më të larta.

Derisa para disa ditësh si protestë serbët e Veriut lëshuan institucionet, tash ka rrezik që të provojnë diçka shumë më radikale – tentimin për të bllokuar pjesën e Veriut për institucionet e Kosovës.

Këtë paralajmërim e dha të premten presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. “Gjithçka po vlon”, tha ai në një konferencë për media.

“Serbët në jug të Ibrit janë afër vendimit për t’u larguar nga institucionet. Jo më vetëm ata nga veriu, por serbët në jug të Ibrit”, e theksoi Vuçiç.

Kurse, “serbët në veri të Ibrit”, pohoi “janë afër vendosjes që të mos lejojnë askënd të hyjë në veri”.

Shkaku lidhet me bllokadën paraprake, por shkasi këtë herë është emërimi i Nenad Rashiç-it, ministër për Komunitete dhe Kthim, nga Albin Kurti.

Rashiç është serb nga Kosova që e pranon shtetin e Kosovës dhe nuk kontrollohet nga Beogradi. Fatkeqësisht, Rashiç është edhe një politikan serb që nuk merr vota nga komuniteti i tij.

Prandaj, Lista Serbe, partia më e votuar nga serbët në Kosovë, e kundërshtoi ashpër emërimin e tij ministër, por edhe emërimin e Rada Trajkoviç si këshilltare të Rashiç-it – edhe kjo një politikane më e moderuar serbe e Kosovës, por që nuk gëzon përkrahje mes komunitetit.

Pas emërimit, situata u përshkallëzua dhe Vuçiç doli e ofendoi Rashiç-in e Trajkoviç-in duke i quajtur “llumi i serbëve” derisa kryeministrin e Kosovës “llum terrorist”.

Ai, meqë konsideroi se reagimi i Bashkimit Evropian për këtë veprim të Kurtit nuk ishte mjaftueshëm i ashpër, njoftoi se po e bojkoton Samitin që mbahet në Tiranë me 6 dhjetor.

Çfarë thonë nga Bashkimi Evropian?

Peter Stano, zëdhënës i BE-së, është pyetur për komentet e Vuçiç-it për situatën, por edhe për një mendim më të zgjeruar të unionit rreth emërimit të Rashiç-it.

Stano tha se “të gjitha emërimet është vitale të bëhen në koordinim me Kushtetutën e Kosovës” dhe se “leximi jonë preliminar i emërimit na thotë se ky emërim nuk përmbushë kërkesat e Kushtetutës”.

Vendimin final gjithsesi, Stano pohoi se do ta jap “Gjykatës kushtetuese të Kosovës”, porse “sjellja në raport me Kushtetutën është kyçe dhe ne presim nga Kosova të jetë brenda kësaj sjellje”.

Ai ka përsëritur se “situata në terren është fragjile” dhe se “çdo akt që ngritë akoma tensionet duhet të shmanget”.

“Më lejoni të përsërisë që thirrja e BE-së është që të punojnë menjëherë që të në rrugën e implementimit të marrëveshjes në dialog”.

A është vendimi anti-kushtetues?

Ekspertët e të drejtësisë kushtetuese thonë “po”.

Ish-gjyqtari i kësaj gjykate, Kadri Kryeziu, ka deklaruar për Albanian Post se vendimi për ngarkimin e Rashiç-it në pozitën e ministrit, është “anti-kushtetues”, pasi që sipas tij, dispozitat kushtetuese përcaktojnë qartë se ministrat dhe zëvendësministrat nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, duhet ta kenë miratimin e grupit më të madh minoritar që përfaqësohet në Kuvend.

“Zgjedhja e Qeverisë bazohet në nenin 96, pikën 5 të Kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta thotë se ministrat të cilët zgjidhen, duhet të marrin pëlqimin e komunitetit që ka përfaqësimin më të madh në parlament”, tha Kryeziu.

Përafërsisht njëjtë mendon edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

“Ky emërim në aspektin kushtetues ka defekte jashtëzakonisht serioze”, tha Hasani për mediumin Koha.

“Për emërimin e ministrave dhe zëvendësministrave që nuk janë anëtarë të Parlamentit kërkohet miratimi formal i shumicës së komuniteteve që janë deklaruar se e përfaqësojnë atë komunitet që është pakicë në Kosovë”, sqaroi Hasani.

A mund të kemi një problem edhe më të madh se ai me targat?

Deklarimi i fundit i Vuçiç-it për këtë çështje sugjeron se po.

Ai përveç se bojkoti Samitin e BE-së në Tiranë – si pakënaqësi e tij kjo me reagimin e unionit – tha edhe se serbët në Veri janë pranë vendimit që të mos lënë askënd të futet në atë pjesë.

Duke nënkuptuar kështu rebelim të plotë në Veri.

Derisa për serbët që jetojnë në pjesë tjera të Kosovës, edhe ata pohoi se po përgatiten t’i bojkotojnë institucionet në sinkron, njëjtë siç para disa ditësh për çështjen e targave vepruan serbët në Veri.

Gjithë kjo situatë po ndodhë në një moment kur u duk se iu hap rruga bisedimeve për marrëveshjen përfundimtare e bazuar në propozimin franko-gjerman.

Madje po përgatitej edhe një takim i nivelit të liderëve në Bruksel, derisa emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pritet që gjatë javës së ardhshme të vizitojë Kosovën dhe Serbinë që të harmonizohet një datë për takim.

Një tjetër krizë akute, rrezikon ta devijojë agjendën e bisedimeve në Bruksel dhe, siç pati deklaruar krye-diplomati evropian, Josep Borell, do vazhdojnë prapë të merren me menaxhim krizash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore