Lajme

Elon Musk: Tesla mund të ulë çmimet sërish, kohë të trazuara


Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, ka thënë se prodhuesi i makinave elektrike mund të vazhdojë të ulë çmimet.

Kjo pasi ekonomia botërore është në “kohë të trazuara”, sipas tij.

Komentet e tij kanë ardhur pasi kompania raportoi se marzhet e fitimit të saj ishin shtrydhur pasi u përball me konkurrencë të ashpër.

Në muajt e fundit, Tesla ka ulur çmimet disa herë në tregjet kryesore, përfshirë SHBA-të dhe Kinën.

Tesla raportoi se marzhi i fitimit kishte rënë në nivelin më të ulët në katër vjet.

Sipas kompanisë, marzhi bruto i fitimit ra në 18.2% për tre muajt deri në fund të qershorit, nga 26.2% për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë një telefonate me analistët e Wall Street, Musk sinjalizoi se ishte i hapur për uljen e mëtejshme të çmimeve nëse ishte e nevojshme.

“Një ditë duket sikur ekonomia botërore po shkatërrohet, ditën tjetër është mirë. Nuk e di se çfarë po ndodh”, ka thënë ai.

“Jemi në kohë të turbullta”, ka shtuar Musk.

Investitorët janë të shqetësuar për mundësinë e më shumë uljeve të çmimeve në Tesla, sipas Arun Sundararajan, profesor në Shkollën e Biznesit NYU Stern.

“Kjo ndihet si një luftë çmimesh pa strategji afatgjatë për të rritur marzhet nëse Tesla fiton luftën”, ka thënë ai.

Në fillim të këtij viti, Musk ka thënë se besonte se ndjekja e shitjeve më të larta, me fitime më të ulëta, ishte zgjedhja e duhur për Tesla-n.

Sakaq, firma ka ulur çmimet në tregje duke përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe Kinën për të konkurruar me prodhuesit rivalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore