Lajme

Elon Musk shet aksione me vlerë 4 miliardë dollarë të Tesla-s


Elon Musk ka shitur 19.5 milionë aksione të tij në kompaninë e makinave elektrike Tesla, sipas dosjeve të publikuara nga Komisioni i Letrave me Vlerë në SHBA.

Transaksioni në fjalë është me vlerë 3.95 miliardë dollarë dhe lëvizja vjen pas blerjes së tij të Twitter-it për 44 miliardë dollarë.

Ai ka shitur rreth 20 miliardë dollarë të aksioneve të tij në Tesla që kur investoi fillimisht në kompaninë e mediave sociale në prill.

Në gusht, përpara se veprimi ligjor i Twitter-it të vuloste përfundimisht marrëveshjen për blerjen, Musk pretendoi se kishte mbaruar shitjen e aksioneve.

“Në rastin që Twitter-i detyron këtë marrëveshje të mbyllet dhe disa partnerë të kapitalit nuk e arrijnë, është e rëndësishme të shmangni një shitje urgjente të aksioneve të Tesla-s”, ka shkruar ai në Twitter.

Tanimë, ai ka rreth 135 milionë aksione te Tesla.

Shitja erdhi vetëm disa javë pasi Tesla raportoi 3.3 miliardë dollarë fitim dhe 21.45 miliardë dollarë të ardhura për tremujorin e tretë.

Çka shkaktoi një rënie prej katër për qind në ditë.

Vlera e Tesla-s ka rënë rreth 46 për qind këtë vit, por pasuria neto e Musk mbetet pak më pak se 200 miliardë dollarë.

Ai ishte zotuar ta financonte vetë blerjen, por vazhdoi të merrte mbështetje në formën e shtatë miliardë dollarëve nga investitorët duke përfshirë Larry Ellison, themeluesin e grupit Oracle dhe platformën e kriptomonedhës Binance.

Po ashtu një konsorcium bankash huazoi 13 miliardë dollarë për të financuar marrëveshjen.

Pas përfundimit të blerjes, Musk shkarkoi shefat ekzekutivë dhe disa drejtues të lartë, përpara se të pushonte gjysmën e fuqisë punëtore të kompanisë.

Prej asaj kohe ka pasur raportime se kompania kërkoi të ri-punësonte disa punonjës pasi kuptoi se rolet e tyre nevojiteshin për të mbajtur faqen në funksionim, ose për të zbatuar disa nga ndryshimet e propozuara të Musk në platformë.

Fillimisht, ai kishte planifikuar pagesën prej 20 dollarë në muaj për aplikimin e një shenje ngjyrë blu në llogaritë e përdoruesve, në një ndryshim të sistemit të verifikimit.

Tani tarifa është ulur në tetë dollarë në muaj, me llogari të zgjedhura të verifikuara të vendosura që të kenë shënime zyrtare në profilet e tyre.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore