Bota

Elon Musk e Jeff Bezos shkëmbejnë sërish vendet


Një luhatje në bursa i ka kushtuar vendin e parë Elon Musk-ut në listën e njerëzve më të pasur në botë. Rënia prej 8.6% në vlerën e aksioneve të kompanisë Tesla, i ka reduktuar me 15.2 miliardë dollarë pasurinë totale. 

Kështu, miliarderi kontrovers shkëmben vendet me Jeff Bezos-it vetëm një muaj pasi i zuri vendin e parë. Përllogaritja e re e pasurisë është në 183 miliardë dollarë, 3.3 miliardë më pak se Bezos.

Rënia prej 8.6% në bursa ishte më e forta për Tesla-n që prej shtatorit. Një natë përpara, Musk-u komentoi në rrjete sociale se çmimet e Bitcoin dhe kriptovalutave të tjera “duken si të larta”.

Ky koment ishte një nga shkaqet e rënies në bursa. Tesla ka blerë së fundmi Bitcoins në  vlerën 1.5 miliardë dollarë.

Megjithatë, të paktën në vlerësim duket se kishte të drejtë. Pasi arriti vlerën rekord prej më shumë se 58 mijë dollarë të dielën (20 shkurt), dy ditë më pas vlera e Bitcoin ra me 10 mijë dollarë.

Musk shkoi më tej në rrjete sociale. Duke iu referuar blerjes dhe pranimit të pagesave në Bitcoin nga Tesla, ai shkroi se ishte një vendim i kompanisë dhe nuk reflektonte mendimet e tija personale.

Ai e ka argumentuar komentin e tij duke e përcaktuar kriptomonedhën si “thjesht më pak budallallëk se valutat tradicionale”. 

Musk nuk përbën më risi me komentet e tij kontroverse në Twitter. Ai nuk e “vë ujin në zjarr” për luhatjet që shkaktojnë në bursa. Miliardieri është më i llastuari dhe më pak konservatori mes miliarderëve të botës. 

Por i tillë është edhe biznesi që ka themeluar vetë. Sjellja e tij në tregje financiare është vetëm plotësuese e profilit të tij sipërmarrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore