Libra

Elif Shafak, autorja që beson në dhimbje të trashëguar


Elif Shafak - Shkrimtare

Shkrimtarja turko-britanike, fituese e shumë çmimeve, Elif Shafak, libri i ri i së cilës eksploron dashurinë dhe politikën në Qipro dhe Londër, në një intervistë për prestigjiozen, për “The Guardian”, ka folur për traumën e gjeneratave, ushqimin në mërgim dhe faktin sesi muzika e zhanrit të “heavy metal” e ndihmon dhe frymëzon atë të shkruajë.

Shafak, e cila nganjëherë përshkruhet si shkrimtarja më e famshme grua e Turqisë, ka një reputacion të gjerë që përfaqëson sinqeritet.

Ajo është një avokate e ashpër për barazinë dhe lirinë e fjalës, teksa pikëpamjet e saj e kanë çuar atë në konflikt me qeverinë “gjithnjë e më shtypëse” të Rexhep Tajip Erdogan, shkruan “The Guardian”.

E përditshmja britanike, e përshkruan shkrimtaren si të butë dhe të ngrohtë me një zë të theksuar e buzëqeshje që rrezaton pozitivitet.

Ndërsa romani i saj i ri, “The Island of Missing Trees” (Ishulli i Pemëve që Mungojnë) – është sigurisht politik dhe temat e tij lidhen me dhunën e humbjen.

Brenda romanit të ri të Shafak, shtjellohet edhe një histori e pasionuar e dashurisë, ndërsa një nga personazhet më të rëndësishëm të librit janë pikërisht pemët, të cilat ajo i konsideron si të “buta dhe të zgjuara”.

Libri paraqet një shkëputje nga Qipro për në Londër, veprim i cili ishte rezultat i një dashurie të ndaluar në mes të një greku, Kostas, dhe të dashurës së tij turke, Defne, ndërsa ata kërkuan ditë më të mira larg vendeve të tyre të lindjes.

Të gjitha këto kujtime, autorja, i shpreh në kuptim figurativ përmes një fiku të cilin e konsideron si dëshmitar të ngjarjeve e që më vonë do ta varrosnin në tokën britanike.

Historia e kësaj dashurie tregon se si dyshja takoheshin si adoleshentë në një restorant që u shndërrua në rrënoja, kur u bombardua në vitin 1974 dhe bazuar në këtë, paraqiten ndjenjat e dhimbjes së ndarjes si dhe melankolia e mërgimit.

Por gjithashtu përshkruhet edhe një lidhje fizike midis së kaluarës dhe së tashmes për vajzën e tyre adoleshente, Ada, e cila ka lindur në Londër dhe e cila, kur fillon libri, nuk kupton asgjë nga sekretet e prindërve të saj dhe traumat e përbashkëta.

“Unë gjithmonë kam besuar në dhimbjen e trashëguar. Ndoshta nuk është shkencore, por gjërat për të cilat nuk mund të flasim lehtë brenda familjeve kalojnë nga një brez në tjetër”.

“Në familjet imigrante, brezi i vjetër shpesh dëshiron ta mbrojë më të riun nga pikëllimi i së kaluarës, kështu që ata vendosin të mos flasin shumë, ndërsa brezi i dytë është shumë i zënë me adaptimin, duke qenë pjesë e një vendi tjetër”.

“Kështu që i lihet brezit të tretë të gërmojnë në kujtesë. Kam takuar shumë emigrantë të gjeneratës së tretë që kanë kujtime më të vjetra edhe se prindërit e tyre. Nënat dhe baballarët e tyre u thonë atyre: ‘Kjo është shtëpia juaj, harroni gjithçka’. Por për ta identiteti ka rëndësi”, thotë autorja.

Shafak, e përshkruan jetën mes një çifti turko-grek, si lehtë funksionale sidomos kur bëhet fjalë për ushqimin dhe kuzhinën edhe nëse fetë nuk janë të njëjta. Ajo thekson se ushqimi ka afinitet të zgjojë mall dhe dashuri për vendin e origjinës.

“Fetë përplasen, por besëtytnitë udhëtojnë mirë përtej kufijve dhe është e njëjta gjë me ushqimin. Në kuzhinë, jeta e një familje greke dhe një turke mund të jenë shumë të ngjashme”, thotë ajo.

Në ndërkohë, pjesë e romanit është edhe halla e të voglës Ada, Meryemi, e cila sa herë që vjen për vizitë në Londër, përgatit ushqime të traditave ballkaneske, nga Turqia, Greqia e Qiproja.

“Unë jam rritur nga gra si ajo. Për gjyshen time, ushqimi ishte më shumë se aq. Ai afron njerëzit së bashku, dhe ka probleme që zgjidhen pikërisht rreth tryezës. Aty fitohet dhe paqja”.

“Por, ka gjëra për të cilat Meryem nuk di të flasë. Ajo e shoqëron ushqimin me dashurinë, dhe për mua kjo është shumë reale”, thotë Shafak.

Në roman, personazhi kryesor, Kostas, në një moment varros fikun e tij për ta mbrojtur atë nga dimri britanik.

“Unë kisha dëgjuar që ata mund të varroseshin. Kur ​​kam jetuar në Ann Arbor në Michigan, ku mund të jetë mjaft ftohtë, kam dëgjuar për familje italiane dhe portugeze që e bëjnë këtë dhe zbulova se me të vërtetë funksionon”.

“Ju e fshihni atë në mënyrë të sigurt nën tokë për dy muaj dhe më pas, kur të vijë pranvera, e zhvarrosni dhe është një lloj mrekullie, sepse është e gjallë”, thekson ajo.

Një protestues përpara një posteri të Shafak gjatë një demonstrate gjatë të shtatorit 2006.

Dikur në vitin 2006, kundër librave të Elif Shafak, ishin ngritur protesta mbi arsyetimin se romanet e saj po e fyejnë shtetin turk, ndërsa në një periudhë të caktuar ajo e kishte të ndaluar ta shkelte tokën e Turqisë.

Botimet e saj quan në hapje të proceseve gjyqësore, deri kur vite më vonë ato u hodhën poshtë nga organet e rendit dhe të ligjit.

Gjërat ndryshuan dhe janë bërë pothuajse gjashtë vjet që kur ajo gëzon të drejtën për të lëvizur në vendin e saj të origjinës.

“Unë mendoj për gjëra të tilla si përkatësia dhe shtëpia shumë. Por kur jeni fizikisht larg një vendi, nuk do të thotë që jeni i shkëputur mendërisht. Ndonjëherë, në shpirtin tuaj, ju bëheni edhe më të lidhur emocionalisht”, shprehet Elif.

Ajo thotë se në veten e saj, shpesh herë e përjeton ndjenjën e të qenit “e internuar”, përderisa jetën akoma e zhvillon në tokën londineze.

“Ekziston melankolia në të qenit e internuar, megjithëse e them këtë me kujdes, sepse jam gjithashtu e vetëdijshme për faktin se Mbretëria e Bashkuar është shtëpia ime”, tregon shkrimtarja turko-britanike.

Ani pse, edhe me dokumentacione është britanike, sytë e Elif janë akoma nga populli turk, ndërsa pushtetin politik të viteve të fundit në Turqi, e quan “dështim”.

Kur mendon për të rinjtë e Turqisë, ajo ndjen mundësinë e ndryshimit. Por kur ajo shikon Presidentin Erdoğan dhe regjimin e tij, ajo sheh vetëm një vend që shkon prapa.

“Kur Erdogan, erdhi në pushtet, ai dhe partia e tij po paraqiteshin si reformatorë liberalë. Ata ishin pro BE-së. Ata biseduan rreth njohjes së dhimbjes së armenëve dhe pajtimit me kurdët. Pastaj, në fillim gradualisht, dhe më vonë me një shpejtësi marramendëse, ata u bënë më autoritar”.

“Ne kemi zgjedhje, por kjo nuk do të thotë se Turqia është një demokraci. Nëse keni shtetin e së drejtës dhe një ndarje të pushteteve, një media të larmishme dhe një akademi të pavarur, atëherë ju keni një demokraci. Por nëse ato përbërës janë thyer, atëherë ju nuk e bëni. Është thjesht një ekosistem”, shton ajo.

Erdogan numëron plot 18 vjet pushtet, dhe një brez i tërë nuk ka njohur ndonjë udhëheqës tjetër, shkruan “The Guardian”.

Në pjesën e fundit të intervistës, “The Guardian”, i kushton rëndësi jetës personale të Elif Shafak, e cila është e mbushur përplot me surpriza, plot prej të cilave jo të këndshme.

Ajo kishte lindur në Strasburg, në  vitin 1971, ndërsa babai i saj po studionte për një doktoraturë në filozofi në qytet.

Por kur prindërit e saj u ndanë, ajo u kthye në Ankara me të ëmën, ku u rrit midis moshës pesë dhe 10 vjeç kryesisht nga gjyshja e saj.

“Divorci ishte i pazakontë në atë kohë. Por, ajo që ishte më e pazakontë ishte që gjyshja ime, e cila nuk ishte arsimuar vetë, ndërhyri në mënyrë që nëna ime të kthehej në universitet dhe të kishte një karrierë”, tregoi shkrimtarja.

Gjithsesi, nëna e saj nuk u martua kurrë, por babai i saj dhe gruaja e tij e re franceze vazhduan të kishin dy djem, të cilët Shafak nuk i takoi derisa ishte në të 20-at.

“Ai ishte shumë i shkëputur nga unë. Nuk e pashë shumë. Nuk kam asnjë fotografi së bashku. Kishte një çështje zemërimi dhe më duhej pak kohë për ta përballuar atë”.

“Ndoshta ajo që më dukej më e vështirë ishte se më dominonin mendimet se ai kishte qenë një person i keq, neglizhent ndaj meje, por një baba i mirë për djemtë e tij, dhe një profesor i mirë për studentët e tij. Kjo ishte e vështirë, duke u pajtuar me idenë se dikush mund të jetë shumë i mirë në pjesë të jetës së tij, dhe një dështim në të tjerët. Për një kohë të gjatë, u ndjeva si fëmijë i harruar”, zbulon ajo.

Gjatë intervistës, Elif Shafak, tregon se që nga viti 2004 kishte filluar me botimin e romaneve në gjuhën angleze, por që ndjenjat e saj, intrigat, emocionet dhe melankolizmin ajo do t’i shpreh përherë më mirë në gjuhën turke dhe për këtë gjë ajo është e sigurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore