Kosova

Elez Nikçi: Rugova dinte të kërcente e të këndonte


Dita e njëzet e katërt e muajit maj është e njohur edhe si “Dita e Presidentit”, pasi që me të njëjtën datë, 29 vjet më parë, President i Kosovës u zgjodh, Dr. Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës që këtë post e mbajti gjatë periudhës 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006.

Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar, i njohur si një person pozitiv edhe jashtë veprimtarisë së tij.

Këtë më së miri e dëshmojnë personat që punuan me të dhe për të, gjatë karrierës së tij politike.

Një i tillë është edhe Elez Nikçi, i cili shërbeu gjatë si truprojë e Ibrahim Rugovës, njërit prej figurave më me nam në historinë e politikës së Kosovës të viteve të 90-ta deri në afër shpalljes së vendit “Republikë”.

Ish presidenti, Ibrahim Rugova me truprojën e tij, Elez Nikçin.

Për Albanian Post, Nikçi ka treguar se ish presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte njeri i emancipuar me një qasje korrekte ndaj stafit të tij, teksa nuk ka hezituar që personalitetin e tij ta quaj edhe si “vështirë të përsëritshëm”.

“Ka qenë një njeri i butë aq sa duhej. Natyra e tij gjithmonë ka përçuar mirësi, pozitivitet dhe ëmbëlsi. Ishte i kuptueshëm dhe kishte të gjitha elementet e një njeriu intelektual e që vështirë të përsëritet një personalitet i tillë”, thotë Nikçi.

Sipas truprojës së presidentit të ndjerë, Rugova shpesh ishte paragjykuar në publik në lidhje me besimin e tij fetar çka bëri të përfliten aludime nga më të ndryshmet.

Por, Nikçi tregon versionin e tij të së vërtetës rreth religjionit që Ibrahim Rugova ia kishte dhënë besimin.

“Thoshte – ‘Unë jam një mysliman i moderuar’. Ngrinte gishtin përpjetë dhe thoshte ‘Zoti është një’”, shpjegon Elezi.

Veç tjerash, pas një personaliteti me peshë politike fshihej edhe pjesa karizmatike e karakterit të Ibrahim Rugovës.

Madje, Presidenti i parë i Kosovës i mirë ishte edhe në vallëzim, sidomos në atë me nuanca rugoviane.

“Se ishte i mirë për vallëzim kjo nuk do koment, rugovianët e kanë të lindur talentin dhe dashurinë për vallen. Ai në shumicën e rasteve gëzimin e shprehte edhe me vallëzim. Sa herë që kishim ndonjë organizim, Rugovën e ftonin në skenë Dilaver Kryeziu me grupin e vet të valltarëve dhe vallëzonin së bashku”, thotë Nikçi.

Por, Ibrahim Rugova keq nuk qëndronte as kur në pyetje ishte këndimi.

Elezi tregon se si në një fushatë zgjedhore të mbajtur në qytetin e Gjakovës, Rugova bashkë me një nga këngëtarët më të njohur kishte kënduar një këngë të tërë pranë personave të ftuar.

“Ishim në Gjakovë gjatë një fushatë zgjedhore kur Rugova bashkë me Shkelzen Jetishin kënduan një këngë fund e krye së bashku dhe të gjithë e duartrokitën sepse ishte me të vërtetë mbresëlënëse”, tha ai.

Për fund, ish truproja e presidentit të ndjerë tregon edhe një nga thëniet e tij më shpesh të theksuara – “Kokën mund të ma hiqni, por idenë kurrë s’mund të ma shkëputni”.

Ndryshe, Ibrahim Rugova kishte lindur në vitin 1944 në komunën e Istogut ku edhe kreu shkollimin fillor derisa atë të mesëm e përfundoi në Pejë.

Rugova kishte studiuar pranë Fakultetit Filologjik në degën “Gjuhë dhe Letërsi”, teksa shumë shpejt ishte punësuar si redaktor në gazetën e studentëve të quajtur “Bota e re” si dhe në revisën shkencore “Dituria”, të cilat botoheshin në Prishtinë.

Ndër datat me rëndësi në biografinë e ish presidentit kosovar është viti 1988 kur u zgjodh kryetar i “Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës”, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Ibrahim Rugova me 23 dhjetor të vitit 1989 u zgjodh kryetar i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, partisë së parë politike në Kosovë.

Ndërsa në zgjedhjet e para pluraliste mbajtur më 24 maj të vitit 1992, Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës.

Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime te larta shtetërore dhe ushtarake.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës në atë periudhë, Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore