Kosova

Elektrosever: Të enjten nis faturimi i rrymës në Veri


Ilustrim

Kompania shtetërore serbe, Elektrosever, e regjistruar në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, ka njoftuar se nga dita e enjte do të nis me shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës.

Qytetarët e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin Potokut, sipas Elektroseve, do të pranojnë fatura paushall prej 21 euro e 60 cent.

Bashkë me atë faturë, përdoruesit do të pajisen me një kopje të kontratës për inspektim, si dhe një njoftim për furnizuesin “Elektrosever”.

“Me pagesën e një shume prej 21.60 euro, Marrëveshja e Furnizimit me kompaninë ‘Elektrosever’ do të konsiderohet e lidhur. Zyrtarët e ‘Elektroseverit’ do t’ua sjellin qytetarëve për nënshkrim marrëveshjet për furnizimin me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, kishte potencuar se faturimi i rrymës në Veri të Kosovës do të bëhet në fillim të muajit mars, ku të përfshirë do të jenë edhe dy muaj paraprak, ato të janarit e shkurtit.

“Kompania Elektrosever do të dalë në terren dhe do të bëjmë regjistrimin e popullatës dhe në fillim të marsit do të bëhet edhe faturimi për dy muajt, sepse edhe janari edhe shkurti do të paguhen paushall nga 20 euro sipas njoftimit të kompanisë”, kishte thënë ai në një intervistë për Radio Televizionin Dukagjini.

Ndër vite, shpenzimet e bëra në Veri janë paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, ndërsa nga viti 2017 e këndej nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) dhe nga subvencionet e Qeverisë së Kosovës.

Për ta zgjidhur këtë çështje, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk u zbatua me vite, derisa dy vendet ranë dakord për një udhërrëfyes për zbatimin e saj në vitin 2022.

Me këtë udhërrëfyes, obligimin për furnizimin dhe faturimin e energjisë elektrike në Ceri e mori kompania serbe Elektrosever, e cila u pajis me licencë të operimit në Kosovë po atë vit.

Pavarësisht kësaj, gjendja nuk ndryshoi deri më 1 janar të këtij viti, kur KOSTT-i lajmëroi se që nga kjo kohë e këndej “energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit”.

KOSTT-i tha atëkohë se Elektrosever “ka filluar ta marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në Veri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore