Ekzekutimi në Rrëshen/ Kontrolle me dronë dhe helikopterë, një nga të plagosurit në gjendje të rëndë
Brixhilda Xhuraj
26.09.2023 16:11Policia e Shtetit ka bërë me dije se në kuadër të veprimeve hetimore dhe gjurmuese për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes kriminale të ndodhur paraditen e sotme, në Rrëshen – ku u vra me armë zjarri shtetasi Martin Bardhi dhe u plagosën 3 shtetas të tjerë – po intensifikon kontrollet në zonën ku u gjet automjeti i djegur, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.
Kontrollet në zonë po bëhen edhe nga ajri, me helikopter, nga shërbimet e Repartit Special RENEA.
Zona po kontrollet nga toka, nga dhjetëra shërbime të FNSH-së, të Forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe forcat operacionale.
Për kontrollin e zonës së pyllëzuar, shërbimet e Policisë janë duke përdorur edhe 5 dronë.
Ndërkohë vijon kontrolli i imtësishem i personave, në pikat e kontrollit të ngritura nga Policia, në akset rrugore.
Grupi hetimor po këqyr pamjet filmike në të gjithë zonën që kanë përshkruar autorët, me automjet, gjatë ardhjes dhe ikjes, pas krimit” informon policia e Shtetit.
Ndërkaq është bërë me dije se nga të plagosurit, Ilir Bardhoku, ish-drejtor i bashkisë së Mirditës dhe Olti Gjini kanë dalë nga operacioni, ndërkohë që 42-vjeçari Indrit Bardhi ndodhet ende në sallën e operimit.
Një nga pistat e hetimit për vrasjen është ajo e hakmarrjes me fisin Reçi.
Policia ka zbarkuar në banesat e familjes Reçi, ku ka ushtruar kontrolle, por Saimir Reçi nuk është gjetur në banesë.
Ai , dyshohet se është orkestruesi i atentatit.
Viktima kishte pak muaj që ishte liruar nga paraburgimi i Shën Kollit në Lezhë, pasi ishte arrestuar për tentativën vrasje ndaj Saimir Reçit, i cili ishte nipi i Kastriot Reçit, të ekzekutuar në 2020.
Në 26 mars të 2023 ishte qëlluar ndaj makinës së blinduar të Reçit, ky i fundit humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një bordurë.
Policia arrestoi Bardhin ndërsa shpalli në kërkim djalin e tij, Enrik Bardhi.
Për këtë ngjarje gjykata kishte caktuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ me kërkesë të prokurorisë pasi nuk kishte akuzën e tentativës së vrasjes por se kishte përkrahur autorin, djalin e tij.
Para përplasjes me armë, dy të rinjtë janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin për parakalimin me makine në rrugën kryesore të qytetit.
Nga të shtënat nuk pati persona të lënduar.
Çfarë ndodhi?
Një atentat i rëndë ka ndodhur në qendër të Rrëshenit, ku i vdekur ka mbetur një shtetas, i cili raportohet se është Martin Bardhi.
Ky i fundit, është përfshirë edhe në mars të këtij viti në një rast arrestimi, pasi djali i tij, Enrik Bardhi, u konfliktua me shtetasin Saimir Reçi, për arsye banale.
Më tej, Enrik Bardhi, pas konfliktimit fizik me Reçin, ka shkuar tek i ati dhe duke marrë një armë pistoletë, ata kanë qëlluar ndaj mjetit të Reçit.
Ky i fundit është nipi i Kastriot Reçit, një sipërmarrësi në zonë, i cili ka mbetur i vrarë në Rrëshen në vitin 2021, pas një atentati me snajper.
Autorët, siç u mësua atëherë, kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMW-së, çka e dëshmojnë dhe shenjat e plumbave, por mjeti i blinduar e shpëtoi të riun Reçi pa marrë lëndime.
Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, shpalli në kërkim baba e bir Enrik dhe Martin Bardhi, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Kërkimet intensive bënë të mundur ndalimin e njërit prej të kërkuarve dhe policia saktësoi se ka rënë në pranga Martin Bardhi, e ndërsa djali i tij dhe nipi u vunë në kërkim.
Pas arrestimit, Bardhi u lirua nga qelia. 62-vjeçari kishte pak kohë në gjendje të lirë.