Ekzekutimi i Martin Bardhit në Rrëshen – Pika kontrolli në gjithë veriun, autorët vrasës profesionistë
Vitjon Nina
26.09.2023 13:26Një informacion shtesë ka ardhur nga Policia e Shtetit, lidhur me ekzekutimin e shtetasit Martin Bardhi në Rrëshen, ku edhe tre persona të tjerë mbetën të plagosur, teksa Forcat speciale RENEA dhe ato FNSH kanë ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës.
Kjo, përtej mobilizimin në Mirditë, e cila praktikisht është e blinduar.
Të plagosur aksidentalisht gjatë atentatit kanë mbetur shtetasit Ilir Bardhoku, Indrit Bardhi dhe Olti Gjini, të cilët kanë qenë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja dhe janë transportuar në spital, për të marrë ndihmën mjekësore.
Ndërkohë, në fshatin Gëziq, Mirditë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH dhe nga Policia vendore, dhe në drejtimin e prokurorit, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve, siç bëhet me dije nga Policia e Shtetit.
Çfarë ndodhi?
Një atentat i rëndë ka ndodhur në qendër të Rrëshenit, ku i vdekur ka mbetur një shtetas, i cili raportohet se është Martin Bardhi.
Ky i fundit, është përfshirë edhe në mars të këtij viti në një rast arrestimi, pasi djali i tij, Enrik Bardhi, u konfliktua me shtetasin Saimir Reçi, për arsye banale.
Më tej, Enrik Bardhi, pas konfliktimit fizik me Reçin, ka shkuar tek i ati dhe duke marrë një armë pistoletë, ata kanë qëlluar ndaj mjetit të Reçit.
Ky i fundit është nipi i Kastriot Reçit, një sipërmarrësi në zonë, i cili ka mbetur i vrarë në Rrëshen në vitin 2021, pas një atentati me snajper.
Autorët, siç u mësua atëherë, kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMW-së, çka e dëshmojnë dhe shenjat e plumbave, por mjeti i blinduar e shpëtoi të riun Reçi pa marrë lëndime.
Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, shpalli në kërkim baba e bir Enrik dhe Martin Bardhi, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Kërkimet intensive bënë të mundur ndalimin e njërit prej të kërkuarve dhe policia saktësoi se ka rënë në pranga Martin Bardhi, e ndërsa djali i tij dhe nipi u vunë në kërkim.
Pas arrestimit, Bardhi u lirua nga qelia. 62-vjeçari kishte pak kohë në gjendje të lirë.