Kulturë

Ekspozita për Holokaustin në Dubai, Shqipëria përmendet si vendi i ‘besës’


Në debutimin e ekspozitës përkujtimore ndaj Holokaustit, e para e këtij lloji në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka gjetur strehë edhe Shqipëria për mirëpritjen e asokohe të hebrenjve.

Elie Abadie, rabi i vjetër i Këshillit Hebre të Emirateve, tregon se kjo ekspozitë e re e përhershme është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi asgjë e ngjashme nuk është organizuar ndonjëherë në rajon.

Një nga kuratoret e ekspozitës, Yael Grafy, ka thënë se “qindra hebrenj kërkuan strehë në Shqipëri në vitin 1943”.

Ajo ka folur për mirëpritjen e shqiptarëve ndaj hebrenjve “kryesisht shumica e popullsisë myslimane”.

Kuratorja vë theksin se, nëpërmjet kësaj ekspozite, një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe një prej traditave kulturore më të shenjta të Shqipërisë, të njohur ndryshe si “Besa” (fjala e nderit), çka vë theksin në mbrojtjen e njerëzve në kohë nevoje, pavarësisht nga vijnë.

“Shqipëria është i vetmi vend ku numri i njerëzve hebrenj pas Holokaustit në të vërtetë po rritej”, ka thënë Grafy.

Në vijim, Abadie thotë se “megjithëse shumica e njerëzve në Lindjen e Mesme e dinë se ndodhi Holokausti, ata nuk flasin ose mësojnë për të aq shumë. Tani, rajoni po hapet dhe kjo ekspozitë i jep haraç asaj që ka ndodhur dhe demonstron njohjen publike të historisë”.

Po ashtu, ai tregon se Holokausti ndodhi në një shkallë më të vogël edhe në vendet e Lindjes së Mesme në vitet 1940, ku hebrenjtë arabë në Libi, Tunizi dhe Irak u persekutuan për shkak të mësimeve të frymëzuara nga nazistët.

Ideologjitë e Hitlerit, sipas tij, arritën përtej Evropës dhe se ishte e rëndësishme për ata që jetojnë ose udhëtojnë në këtë rajon të jenë të vetëdijshëm për këtë.

“Kjo na kujton se karakteri i pashembullt i Holokaustit gjithmonë do të ketë kuptim universal”, është shprehur për CNN, Kathrin Meyer, sekretarja e përgjithshme e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Ajo ka vazhduar se “teksa dëshmojmë se brezi i të mbijetuarve të Holokaustit kalon me trishtim, memorialët dhe muzetë bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm për të siguruar që kjo ngjarje e tmerrshme të mos harrohet kurrë”.

E hapur muajin e kaluar për publikun nën emrin “Ne kujtojmë”, ekspozita e mbajtur në Muzeun e Kryqëzimit të Qytetërimeve në Dubai, tregon dëshmitë e dorës së parë të të mbijetuarve të Holokaustit.

‘Udhëtim në histori’

Sipas kuratorëve, Muzeu tregon artin e prodhuar nga civilizime dhe kultura të ndryshme gjatë disa shekujve, prandaj dhe është më se e përshtatshme të presë këtë shfaqje të re.

Dhe se misioni që ai mbart është të edukojë dhe të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me Holokaustin në mbi 200 kombësi të ndryshme të Dubai-t.

E ndodhur së bashku me gjashtë galeritë e tjera të muzeut, ekspozita me një dhomë e çon shikuesit nëpër ngjarjet që kanë qenë gjatë dhe pas Holokaustit, përmes syve të njerëzve që e jetuan atë.

Gjatë Holokaustit, nazistët vranë më shumë se gjashtë milionë hebrenj, së bashku me miliona të tjerë përfshirë si personat me aftësi të kufizuara dhe LGBT, disidentët politikë dhe pakicat fetare dhe etnike.

Ahmed Obaid Almansoori, i cili themeloi muzeun privat, ka thënë se koha për të hapur një ekspozitë të Holokaustit në rajon u duk e duhura.

“Holokausti ishte një krim kundër njerëzimit. Dhe kur ke një ngjarje të tillë, duhet ta ndash atë nga ngjarjet e tjera. Një muze nuk është një vend politik, është një udhëtim në histori”.

Kuratoret e ekspozitës, Yael Grafy, është shprehur se ndihej e lumtur që ishte në gjendje të edukonte njerëz nga e gjithë bota për këto ngjarje.

“Ky është si një fjalor i Holokaustit. Ju mësoni gjëra që keni dashur të dini në lidhje me Holokaustin, por kurrë nuk keni guxuar të pyesni, të tilla si: ‘Çfarë është një kamp vdekjeje?’, ‘A kishin planifikuar nazistët të vrisnin hebrenj që nga fillimi i regjimit?’ dhe ‘Çfarë do të thotë Zgjidhja Përfundimtare?’“, ka thënë ajo.

Ambasadori i Gjermanisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Peter Fischer, në një fjalim në hapjen zyrtare të ekspozitës gjatë javës së kaluar ka thënë se Holokausti është “një shenjë e përjetshme turpi për vendin tim”. Kjo është arsyeja pse ai është kaq i kënaqur të shohë ekspozitën.

“Unë përgëzoj Emiratet e Bashkuara Arabe për politikën e tolerancës. Mënyra e intolerancës nuk është mënyra e duhur. Kjo do të çojë në vuajtje të mëdha, madje edhe në katastrofë. Kuptoje atë nga një gjerman”, ka shtuar ambasadori.

‘Çdo fëmijë kishte një histori’

Edhe pse ishte planifikuar që hapja zyrtare e ekspozitës të ndodhte më datë tetë prill, duke shënuar Ditën e 80-të të Përkujtimit të Holokaustit, kufizimet e Covid-19 kërkonin që ambasadori dhe të pranishmit e tjerë të mos mund të udhëtonin për të marrë pjesë në ngjarje.

Kjo bëri që ngjarja të shtyhej.

Në qendër të ekspozitës gjendet imazhi me madhësi reale i një djali të ri nga një prej fotografive më të njohura të Holokaustit, “Djali i Getos në Varshavë”.

Kuratorët tregojnë se ky imazh është i rrethuar nga armë të vërteta të epokës së Luftës së Dytë Botërore nga koleksioni i muzeut, të cilat synojnë të krijojnë shqetësime për të tërhequr vëmendjen për madhësinë katastrofike të ngjarjes.

“1.5 milionë fëmijë vdiqën në Holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thotë Grafy duke vijuar se “ne jemi duke u përpjekur të tregojmë se çdo fëmijë kishte një histori”.

Aty paraqiten edhe ekstrakte nga ditari i Anne Frank-ut, që u bë një nga dëshmitë më të famshme të Holokaustit.

CNN shkruan se një pjesë e ekspozitës u kushtohet arabëve dhe myslimanëve që ndihmuan në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Kjo për të rikujtuar historinë e pasur dhe bashkëjetesën midis arabëve, myslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve në shekullin e XX.

“Kur njerëzit flasin për Holokaustin dhe botën arabe, ka shumë interpretime të ndryshme”, thotë Almansoori, duke vijuar se “ne kemi kaq shumë histori të mira rreth arabëve dhe myslimanëve që ndihmojnë hebrenjtë me kalimin e kohës, dhe kjo është ana pozitive që njerëzit nuk e dinë për të cilën duam t’i edukojmë”.

‘Detyra ime ndaj njerëzimit’

Ndërsa një histori tjetër thekson trimërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore të Selahattin Ulkumen-it, Konsull i Përgjithshëm i Turqisë në ishullin grek të Rhodes-it të pushtuar nga gjermanët.

CNN shkruan se në vitin 1944, ishte një komunitet i vogël me rreth 1 mijë e 700 hebrenj që jetonin në ishull, disa prej tyre turq, të cilët rrezikonin të vriteshin.

Sipas ekspozitës, Ulkumen-i arriti të shpëtonte më shumë se 42 hebrenj, por që pagoi një çmim të rëndë për këtë. Gjermanët bombarduan shtëpinë e tij, duke lënë të vrarë edhe gruan e tij, e cila ishte shtatzënë.

Dhe kur ai u pyet për atë që kishte bërë, ka thënë se “gjithçka që bëra ishte të përmbushja detyrën time ndaj njerëzimit”.

Sipas Grafy-t, historia më e veçantë është ajo e Mohamed Helmy-t, një mjeku egjiptian, i cili po studionte në Berlin. Ai shpëtoi disa hebrenj nga persekutimi. Njëra prej tyre ishte një vajzë e re me emrin Anna Boros, të cilën ai e birësoi.

Nga Yad Vashem, memoriali zyrtar i Holokaustit i Izraelit, ai ishte arabi i parë që u njoh si “i Drejtë midis Kombeve”.

Gjithashtu ekziston një varg nga Kurani i shkruar në arabisht dhe i përkthyer në anglisht: “Kush shpëton një jetë, shpëton tërë botën”, i cili ndodhet në fund të ekspozitës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore