Zgjedhjet në Shqipëri

Eksportet ushqimore Kosovë-Tiranë/Takim për problematikat në dogana


Zëvendës Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Ermira Gjeçi, së bashku me drejtuesin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë Armand Reveli dhe Tana Kika-Shtylla, Drejtore e Përgjithshme e Autoritet Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjen e Bimëve, kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të organizatës së Odës Ekonomike të Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë e mbështetjes dhe eleminimi i barrierave tregtare gjatë bashkëpunimit reciprok tregtar.

Në takim u diskutuan problematikat që hasen gjatë eksportit të produkteve ushqimore nga Kosova drejt vendit tonë.

“Është shumë e rëndësishme që të trajtohen kërkesat e operatorëve ekonomik, duke unifikuar certifikatat dhe rishikuar procedurat në mënyrë që të lehtësohet shkëmbimi tregtar”, u shpreh Gjeçi.

Sipas legjislacionit respektiv, në nëntor të vitit 2018, është përmbushur detyrimi i njohjes dypalëshe të certifikatave veterinare të kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore për konsum human dhe jo human, certifikatat e produkteve jo shtazore dhe certifikatat fitosanitare.

Po ashtu, është bërë njohja e 42 certifikatave për prodhimet vendase. Zbatimi i këtij protokolli ka filluar në 1 janar të vitit 2019.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore