Shqipëria

Ekskluzive për AP – Gazetari italian kronist i mafies, Salvatore Cusimano: Matteo Messina Denaro, korleonezi i fundit


Mafiozi më i kërkuar i Italisë po shkonte drejt një kafeneje afër klinikës private siciliane, kur një polic iu afrua dhe e pyeti për emrin e tij.

Nuk gënjeu. Ngriti sytë e i tha: t’i e di se kush jam, unë jam Matteo Messina Denaro.

Deri në ato sekonda efektivët nuk e kishin të sigurtë nëse me të vërtetë kishin prangosur “bosin e të gjithë bosëve” mafiozin, të cilin e kishin gjurmuar për plot tri dekada.

Protagonist i kohës së masakrave, pjesëmarrës në dy vrasjet e Giovanni Falcone-s, Paoli Borsellino-s.

“Sot janë më shumë ata që po dridhen nga frika se ata që po gëzohen”.

Ishte ky mendimi i parë i gazetarit të mirënjohur italian, Salvatore Cusimano – kronist i periudhës së masakrave 92, 93 dhe i dërguar i Rait asokohe dhe drejtor i RAI-t në Palermo– i cili për Albanian Post në një intervistë ekskluzive ka zbuluar më shumë nga e shkuara, e tashmja e Denaro-s.

Por, jo vetëm.

Cusimano, një ekspert i botës së mafies në Itali, tregon se çfarë ndryshimi pritet të ndodhë në kupolën e strukturës më famëkeqe kriminale.

Ai do t’i përgjigjet edhe pyetjes që ka pushtuar bisedat e të gjithëve: E dorëzuan apo negocioi?

Gazetari për Albanian Post do të sjellë një paralelizim midis Ndragheta-s dhe rrjetit kriminal shqiptar.

E, për këtë ka një mesazh.

“Padyshim që në fillim do të ketë një kosto reale për t’u paguar sepse ne duhej të prisnim masakrat e viteve 1992-93 për të qenë në gjendje për të pasur një protestë qytetare, kemi vuajtur vrasjet e eksponentëve kryesorë të gazetarisë, të gjyqësorit dhe të politikës”.

Cili është Matteo Messina Denaro dhe ishte vërtetë ai bosi i Cosa Nostra-s (mafia siciliane) pas vdekjes së Salvatore Riina-s?

Matteo Messina Denaro është eksponenti i fundit i krahut korleonez (nga Corleone e Sicilisë), pra i atij grupi kriminal që në vitin 1979, duke shkaktuar rreth 1 mijë vrasje mes mafiozëve, anëtarëve të institucioneve të shtetit, gazetarëve, mori pushtetin dhe kontrollin e Cosa Nostra-s të paktën deri në dekadën e fundit.

Messina Denaro ishte protagonist i periudhës së masakrave, së bashku me Bernardo Provenzano-n, Leoluca Bagarella-n dhe mafiozë të tjerë shumë të njohur në nivel ndërkombëtar.

Ai mori pjesë aktive, domethënë organizoi dhe promovoi personalisht dhe mori pjesë në atentatet e vitit 1992 në Palermo, në masakrën e Capaci-t, ku u vra magjistrati Giovanni Falcone me gruan dhe rojet e tij, në atë të Via d’Amelio ku u vra magjistrati Paolo Borsellino-n dhe rojet e tij dhe më pas në sulmet e vitit 1993 në Romë, Firence dhe Milano.

Pra, ai ishte një nga eksponentët më të dhunshëm në një organizatë kriminale, një njeri që ka më shumë se 40 njerëz të vrarë në ndërgjegjen e tij.

Por, Messina Denaro ishte edhe biznesmen. Ai i ka investuar paratë e Cosa Nostra-s në turizëm, në energjinë alternative eolike dhe në gjobe vënie. Pasuria e tij shkon në disa milionë euro, thonë nga katër deri në gjashtë. Nuk duhet harruar se atij i janë sekuestruar pasuri të mëdha, të cilat janë agjenci turistike, hipermarkete, aksione në kompanitë e të cilave ai zotëronte nëpërmjet personash që kanë huazuar emrin për të.

Me pak fjalë, ai ishte një person shumë i fuqishëm që kishte lidhje të forta me shoqërinë e zonës së tij, të zonës së Trapanit dhe jo vetëm me rrethin e ngushtë, por edhe borgjezinë e zonës.

Pjesë e rrjetit të tij, mendohet të jetë një numër shumë i gjerë profesionistësh, duke përfshirë njerëz të padyshuar më parë, madje edhe politikanë.

Nuk është rastësi që politikanë nga Trapani janë në burg me një dënim të formës së prerë të akuzuar për lidhje me Messina Denaro-n.

Me pak fjalë, ai ishte emblema e mafies, pra krimineli që di të ndërtojë rreth vetes një rrjet të nivelit të lartë mbrojtjeje dhe bashkëpunimi.

Pas tij do të ketë një pasues, apo do të ndodhin ndryshime në strukturën e Cosa Nostra-s?

Ndërkohë dua të sqaroj se Matteo Messina Denaro, ndryshe nga sa është thënë, nuk ka qenë asnjëherë kreu i Cosa Nostra-s.

Ai ishte anëtar dhe në krye të mafies në zonën e Trapani-t, e cila është zonë e rëndësishme nga pikëpamja ekonomike në Sicili.

Por, ai kurrë nuk ka drejtuar Cosa Nostra-n. Messina Denaro ishte krahu i djathtë i Toto’ Riinës.

Sigurisht që Cosa Nostra është një organizatë që mbështetet te familjet, në kuptimin e mirëfilltë të një bërthame familjare që përgjithësisht i përket një lagjeje ose rrethi, në qytete ose qyteza e kështu me radhë.

Para ardhjes së Salvatore Riina-s, pra para vitit 1980, organizimi i mafia-s ishte një organizatë familjesh dhe ekzistonte një lloj parlamenti mafioz. Pra përfaqësuesit e të gjitha familjeve vendosnin se cilat strategji dhe politika të zbatonin, cilat aleanca politike duhet të miratonin, pra për kë do të votonin, cilat tenderë duhet të merreshin dhe kujt ato i caktoheshin, si duheshin ndarë paratë e marra nga gjobëvëniet.

Në 1979, kur Riina erdhi në fuqi filloi me vrasjet. U vranë rreth 1 mijë njerëz, kështu që Riina vendosi një lloj diktature. Ai qeveriste i vetëm dhe u rrethua nga njerëz të dhunshëm e të pamëshirshëm si vetja.

Së pari afroi kunatin, Bagarella-n, Giovanni Brusca-n, i cili ka qenë personi që shtypi telekomandën e tritolit në masakrën e Capaci-t, Matteo Messina Deanaro-n, etj.

Riina e ktheu organizatën në një lloj diktaturë. Vetëm pas arrestimit të tij dhe sidomos tani pas arrestimit të Messina Denaro-s, Cosa Nostra do të përpiqet të ndërtojnë Kupolën, pra këtë lloj parlamenti mafioz.

Deri më tani nuk është marrë asnjë vendim pasi personi i fundit që u zgjodh në krye u arrestua thuajse menjëherë nga policia. Sot DIA (Drejtoria Anti Mafies), drejtësia dhe hetuesit sicilianë kanë mjete shumë të forta dhe shumë të fuqishme si përgjime mjedisore dhe telefonike, njohje brenda zonave të ndryshme, teknologjinë, të cilat të lejojnë të identifikosh se çfarë po ndodh brenda peizazhit kriminal në mënyrë që ta neutralizosh në kohë.

Aktualisht ka ende personalitete mafioze në arrati që mund të aspirojnë të bëhen deputetë dhe kryetarë të atij parlamenti, bosë mafiozë.

Por në fakt ata nuk e kanë as karizmën, as forcën dhe qoftë edhe dhunën që kishin burrat për të cilët folëm më parë.

Padyshim që mafia sot është e dobësuar, por është ende një mafie në kërkim të një modeli të ri organizativ. Prandaj forcat e rendit janë në gatishmëri dhe po përpiqen të kuptojnë se çfarë po ndodh në zonë, pikërisht për të neutralizuar sa më parë këtë organizatë të re, këtë bord të ri drejtues mafioz.

Atentatet e viteve 1992 dhe 1993 sipas jush në thelb ishin atentate për të hyrë në tratativa me shtetin?

Po, unë jam i bindur për këtë. Sigurisht që atentati ndaj Falcone-s dhe Borsellino-s ishin sulme të kryera nga mafia me pjesëmarrjen e eksponentëve të jashtëm të saj. Ka shumë deklarata, nga shumë të penduar të konsideruar të vlefshëm, që kanë zbuluar praninë e personazheve jashtë Cosa Nostra-s në përgatitjen e atyre atentateve.

Disa media, përfshirë edhe RAI-n, kanë identifikuar, për shembull, praninë e Stefano delle Chiaie, një eksponent neofashist i përfshirë në pothuajse të gjitha sulmet dhe devijimet e investigimeve në Itali në vitet ’70 dhe ’80. Për shembull pretendohet se ai kishte qenë i pranishëm në atentatin e Capaci-t.

Hetimet për këtë janë ende në vazhdim edhe pse ka pasur një përpjekje nga prokuroria e Caltanisetta-s, që është përgjegjëse për zonën, për të mbyllur dosjen.

Prandaj ka shumë rëndësi se si do të zhvillohen tani hetimet, pasi shpresojmë që arrestimi i Messina Denaro-s do të sjellë detaje të reja.

Natyrisht, strofulla e vërtetë e tij, aty ku mendohet se janë të fshehura letrat dhe sekretet e Toto’ Riina-s, dokumentet thelbësore për të zbardhur shumë detaje, nuk është gjetur ende.

Pa dyshim që masakrat dhe atentatet nga njëra anë ishin një përpjekje për të dënuar ata që kishin luftuar kundër mafies, në radhë të parë Falcone dhe Borsellino, por nga ana tjetër ishin edhe kundër politikanëve si Salvatore Lima (ish-parlamentar sicilian i partisë demokristiane i vrarë nga mafia në 1992) dhe Ignazio Salvo (biznesmen i lidhur me mafien nga zona e Trapanit), pra politikanët që kishin premtuar të ndihmonin Cosa Nostra-n, por që nuk kishin arritur të bllokonin në një farë mënyre gjyqin e parë maxi kundër mafies (filluar në 1986 dhe mbaroi në 1992).

Më kujtohet 31 janari 1992, kur kaloi dënimi përfundimtar me burgim të përjetshëm për të gjithë bosët e mafia-s, përfshirë edhe Riina-n.

Kështu që atentatet kishin sigurisht këto motive si bazë, por kishin edhe motivin mafioz për të gjetur mbështetje në një sërë elementësh politikë.

Dhe ishte e mundur ta gjenin sepse kishte qarqe të masonerisë dhe shërbimeve sekrete që në një farë mënyre ndihmuan në eliminimin e elementëve të pakëndshëm si Falcone dhe Borsellino.

Kështu që atëherë ka pasur negociata, edhe pse tani askush nuk e sheh më. Ky negocim u nis nga shteti, nga karabinierët, kur ROS (grupimi operativ special i karabinierëve) në atë kohë dërgoi si emisar një nga drejtuesit e fraksionit korleonez, një politikan, për t’i dhënë fund këtij sezoni të masakrave.

Por ky negocim në thelb nuk pati rezultat pozitiv sepse sulmet vazhduan, vazhduan edhe pas arrestimit të Riina-s në vitin 1993, pikërisht jashtë Sicilisë.

Deri tani kjo marrëdhënie mes mafies, anëtarëve të Masonerisë dhe shërbimeve sekrete nuk është zbuluar kurrë plotësisht në tërësi.

Nëse Messina Denaro do të fillonte bashkëpunimin, nëse do të pendohej, ndoshta do të kishim një përgjigje edhe për sa i përket këtyre lidhjeve.

Ndaj nëse Messina Denaro bashkëpunon do të dilnin shumë informacione?

Po!

Në rrjetet e mia sociale sapo mora lajmin shkrova: Sot janë më shumë ata që po dridhen nga frika se ata që po gëzohen.

Sepse për mendimin tim ai është dëshmitari i fundit i vërtetë i asaj stine. Ai ka qenë shumë i afërt me Riina-n, kështu që di gjithçka që ka bërë Rina, sa kontakte ka pasur, punonjësit, kontaktet me shërbimet sekrete, çfarë kontaktesh ka pasur me politikën.

Ndaj për mendimin tim ai mund të zbulonte vërtet fytyrën tjetër, atë fytyrën e fshehur të Cosa Nostra-s që deri tani nuk ka mundur të zbulohet plotësisht.

Edhe pse dimë se ka pasur politikanë si presidenti i rajonit të Sicilisë, Salvatore Cuffaro, apo Marcello dell’Utri, i afërt me Berlusconin, të cilët u arrestuan dhe u dënuan me një dënim të formës së prerë për marrëdhëniet e tyre me mafia-n.

Ka pasur edhe një senator nga Trapani, i cili ka disa muaj në burg i dënuar me një dënim të formës së prerë për lidhjet e tij me mafia-n.

Prandaj në thelb prova e ekzistencës së këtyre lidhjeve mafioze me politikën, me sipërmarrjen, me profesorë, doktorë, profesionistë të tjerë, ekziston dhe është vërtetuar nga këto procese.

Por skenari i përgjithshëm ende nuk është plotësuar.

Për të kuptuar se kush në Romë, në pallatet e pushtetit, miratoi zgjedhjet për masakrën e Cosa Nostra-s dhe Salvatore Riina-s.

Ta dish këtë do të thotë t’u japësh drejtësi të plotë viktimave të atyre masakrave dhe familjeve të tyre.

Senatori Antonio d’Ali, gjithashtu ish-sekretar në Ministrinë e Brendshme italiane, i partisë së Berlusconit “Forza Italia”, sot është në burg për marrëdhëniet e tij me Messina Denaro. Ka përfshirje një parti politike apo vetëm individi?

Marrëdhënia e tij me Matteo Messina Denaro vjen nga lidhjet e vjetra me babanë e Matteos, Francescon.

Besoj që marrëdhëniet e Forza Italia-s me mafien kanë qenë përgjegjësi e palermitanit, Marcello dell’Utri, i cili ishte njeriu i Berlusconit dhe i zgjidhte problemet e tij në Sicili me mafien.

Ajo që ka dalë nga procedimi është se Berlusconi dhe grupi i tij paguanin mafien dhe kishin marrëdhënie me ta.

Këto janë të gjitha të provuara, por deri tani ajo që mungon është zbulimi i dërguesit, nxitësit.

Tani duhet të synojmë të përpiqemi ta bëjmë këtë kapërcim të fundit, për sa kohë ka kohë sepse kanë kaluar 40 vjet dhe 50 vjet nga fillimi i luftës mafioze, nga fillimi i marrëdhënieve të sëmura e perverse mes mafia-s dhe politikës.

Por Messina Denaro është 60 vjeç kështu që edhe nëse kushtet e tij shëndetësore nuk janë të shkëlqyera, duke jetuar në burg të rëndë pa mundur të shohë djalin ose vajzën, mund t’i vijë një shtytje për një bashkëpunim.

Atëherë lind pyetja është dorëzuar vetë Messina Denaro? Ka negociuar diçka?  E kanë shitur?

Ne nuk e dimë këtë, policia ka kryer një operacion të bazuar te inteligjenca realisht.

Kanë pasur përgjime e kanë kontrolluar të gjithë pacientët onkologjikë, ka hulumtuar dhe përdorur përgjimet.

Fakti se ai ishte i sëmurë, se kishte pasur probleme, ka dalë edhe nga intervistat e të penduarve më parë. Nga përgjimet hetimore u morr vesh diagnoza onkologjike. Nuk besoj se e ka shitur njeri dhe nëse ka pasur negociata nuk mund të thuhet sot.

Është thënë se gjatë përgatitjes së tritolit për masakrën e Capaci-t ka qenë pjesëmarrës një shqiptar. Dini gjë për këtë ? 

Kjo është e saktë dhe është një element shumë shqetësues.

Për emrin e tij nuk është folur asnjëherë, nuk dihet kurrë, por ka qenë vetë Riina teksa ishte i mbyllur në burgun e Opera-s, duke folur me një të burgosur tjetër për atentatin e Capaci-t, ai i referohet një shqiptari në lidhje me këtë.

Ky është një fakt vërtet shqetësues sepse nuk ka dalë në procese dhe nuk ka pasur asnjë element për ta bërë të qartë këtë episod, sepse zhvillimi do të kishte qenë interesant.

Por është më se e sigurt, pasi Riina e ka thënë në një moment kur po fliste absolutisht lirshëm.

Por të qenit të sigurt ndryshon pak situatën nëse nuk ka të dhëna më shumë. Vetëm hetimi i këtij personi, i cili ka kaluar dhe ndaluar në Palermo, do të hidhte detaje të reja mbi masakrën.

Dini nëse ka marrëdhënie mes mafia-s së Palermos dhe asaj shqiptare? Deri tani të dhënat e DIA-s flasin për lidhjet me ‘Ndrangheta-n.

Mua nuk më rezultojnë lidhje të veçanta, përveç atyre direkte e të menjëhershme që kanë të bëjnë me trafikun e drogës, veçanërisht me mariuhanën dhe hashashin.

Por sidomos me mariuhanën, e cila vinte kryesisht nga Shqipëria.

Por sa i përket mafia-s, interesi i vërtetë ka qenë gjithmonë heroina dhe kokaina. Në lidhje me kokainën aktualisht mafia siciliane është dobësuar nga goditjet e ndryshme. Kështu që është ‘Ndrangheta ajo që ka marrë përsipër menaxhimin e trafikut të kokainës në rrugët ndërkombëtare për të cilat bashkëpunon me krimin shqiptar.

Një pyetje mbi bazën sociale të mafia-s …Në Shqipëri flasim për ekzistencë të grupeve të krimit të organizuar, por jo për mafie. Njohim dhe trafikun e drogës dhe bashkëpunimin për të me “Ndranghetan, për shpërndarjen e saj në Evropë. Sipas jush cili është ndryshimi konceptual midis përdorimit të fjalës krim i organizuar dhe mafia?

Atëherë meqenëse mafia është fajtore për krime dhe masakra, për vrasje, në një farë mënyre duke mos e përdorur i largohesh këtij imazhi të tmerrshëm të organizatës kriminale siciliane.

Por në realitet nuk ka dallim mes mafia-s dhe organizatave kriminale që veprojnë në Shqipëri. Kjo në kuptimin që ato kanë kontrollin e territorit, në bërjen e bizneseve të paligjshëm, nga tenderët te gjobëvënia deri te trafiku i drogës, kanë marrëdhënie me botën e biznesit dhe politikën, në thelb kanë forcën për të frikësuar tejet ambientin e shoqërisë që i rrethon.

Kështu që t’i quash krim i organizuar dhe jo mafia është një mënyrë për të fshehur gjërat.

Në realitet kemi të bëjmë me mafie dhe është pikërisht e njëjta metode veprimi që kanë ‘Ndrangheta dhe Camorra (mafia e rajonit të Campania-s).

Ndrangheta për shembull nuk kryen sulme, ka adoptuar një sjellje më në heshtje, ndërsa mafia e kohës së Riina-s, pra ajo e masakrave, ka hapur një përballje të drejtpërdrejtë me shtetin.

Por mos harroni, mafia në përgjithësi ka një histori shumë të gjatë që filloi me bashkimin e Italisë, dhe fillimisht kaloi nga vitet 1800. Pra ka një histori gjatë së cilës ka jetuar gjithmonë me pushtetin, nuk e ka sfiduar kurrë.

Ishte vetëm Salvatore Riina që sfidoi shtetin.

Ndaj fakti që në Shqipëri nuk ka sulme serioze ndaj përfaqësuesve të institucioneve nuk do të thotë asgjë. Kjo sepse interesi i mafies shqiptare është të punojë nën mbulesë, të korruptojë e jo të vrasë, të frikësojë, të sjellë pëlqimin te politikanët. Nuk është në interes të tyre të bëjnë bujë.

Ndonjëherë thuhet se edhe pse ka trafiqe, në fakt asgjë nuk ndodh për sa i përket sigurisë. Por edhe këtu gjenden marrëdhëniet perverse midis politikës, ekonomisë dhe mafia-s.

Vënia e një emri ndryshe është vetëm një mënyrë për të mbuluar realitetin.

Kur thuhet se në Shqipëri ka grupe kriminale që bëjnë trafiqe e më pas biznes për të ricikluar paratë me ndërtime turistike apo aktivitete të tjera, njerëzit shpesh përgjigjen “kujt i intereson, është e rëndësishme që ata të sjellin para që ekonomia të vazhdojë”. Cili, atëherë në fakt është dëmi që mafia i bën shoqërisë dhe ekonomisë së një vendi?

Ju mjafton vetëm të shihni realitetin e Sicilisë.

Ajo ka burime të jashtëzakonshme që lidhen me turizmin, bukurinë e vendeve etj., megjithatë është një shoqëri në nënzhvillim, një shoqëri në të cilën kompanitë e firmat e mëdha nga vendet e tjera nuk vijnë nga frika se mos bien nën presionet mafioze.

Sicilia është një tokë nga e cila mijëra të rinj ikin çdo vit. Pra është e nënzhvilluar. Sigurisht që fajin për këtë e ka politika e keqe, por e ka edhe mafia. Sepse po të mos kishte pasur mafia-n, Sicilia do të ishte Kalifornia e Mesdheut, siç ndoshta do të kishte qenë edhe Shqipëria, nëse nuk do të kishte pasur një fuqi autoritare, e cila shkatërroi identitetin e saj deri në rrënjë, nëse nuk do të kishte sot një krim të organizuar, i cili për shembull pengon kompanitë e mëdha evropiane të investojnë në territoret tuaja, ashtu siç nuk bëjnë në tonat.

Këtu, në Sicili, për shembull, nuk ka një kompani të madhe të vërtetë që vjen për të investuar nga Evropa Veriore.

Si vallë mund të mos jetë e mundur që asnjë nuk dëshiron të vijë në zonën tonë për të investuar?

Sicilia është platforma drejt vendeve afrikane, Lindjes së Mesme. Asnjë nuk e shpjegon sot veçse me frikën për të mos rënë preh e gjobëvënies mafioze.

Dua t’iu tregoj miqve shqiptarë se këtu kur ndodhi që ndonjë grup i madh u afrua për të bërë biznes u detyrua ta bënte atë me Cosa Nostra-n, njerëzit që punësonin vinin nga rreshtat e Cosa Nostra-s, prandaj detyrimisht kostot pësuan buhavitje. Dhe si pasojë një pjesë e këtyre kompanive përfunduan në duart e Cosa Nostra-s.

Kështu që mbyllja e syve është e kotë sepse në një moment ekonomia do të drogohet dhe do të jetë në duart e organizatave kriminale. Nuk mendoj se mund të anashkalohet. Të mos e shohësh është një llogaritje e gabuar.

Në një shoqëri kur në dukje nuk ju prek aktiviteti i grupeve kriminale dhe trafikimi i tyre, kur fillon lufta kundër mafies?

Për këtë nevojiten gjeste të forta thyerëse, gjeste që duhet të kryhen nga avangardat e vogla si psh. magjistratët, gazetarët, investiguesit.

Padyshim që në fillim do të ketë një kosto reale për t’u paguar sepse ne duhej të prisnim masakrat e viteve 1992-93 për të qenë në gjendje për të pasur një protestë qytetare, kemi vuajtur vrasjet e eksponentëve kryesorë të gazetarisë, të gjyqësorit dhe të politikës.

Vetëm për kujtesë… këtu kanë vrarë presidentin e rajonit, pra autoritetin politik më të lartë në rajon, kanë vrarë krye eksponentin e opozitës, Pio La Torre të Partisë Komuniste, vranë sekretarin rajonal të Demokracisë Kristiane që ishte partia e shumicës relative, vranë dy prokurorë të Republikës, vranë të ashtuquajturit shefat të zyrave administrative në institucione, ata vranë gazetarin Mario Francese, i cili qe i pari që vuri në dukje dhunën korleoneze dhe kanë vrarë shumë anëtarë të tjerë të shquar që kanë denoncuar pushtetin mafioz.

Shumë të tjerë, përfshirë gazetarë, janë vënë nën mbrojtje, po ashtu sikurse shumë biznesmenë sepse kanë denoncuar gjobëvëniet. Në mbrojtje janë vënë shumë gjyqtarë, politikanë dhe hetues.

Pra, sigurisht që ka një çmim për të paguar, por nëse nuk do të ishte për ata, atëherë atë ditë do të kuptonim se do të kishim qenë totalisht një shtet mafioz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore