Shqipëria

Ekskluzive/ Misioni shqiptar pranë IAEA-s nuk konfirmon praninë në Zaporizhzhia


Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Organizatat Ndërkombëtare në Vjenë nuk konfirmon praninë e personave me nënshtetësi shqiptare në Zaporizhzhia.

Lajmi u bë i ditur nga sekretari i parë i këtij institucioni për Albanian Post.

“Ju bëj me dije se në ekipin e ekspertëve të ANEAs (IAEA) të nisur për të bërë verifikimin e sigurisë bërthamore në centralet atomike të Zaporizhies, nuk ka asnjë person me nënshtetësi shqiptare”, thekson ai.

Më herët, ishte e përditshmja amerikane “New York Times” e cila raportoi se në ekipin e IAEA-s ishin edhe anëtarë shqiptarë.

Sipas NYT-së, ekipi përfshinte përfaqësues të Lituanisë, Polonisë, Serbisë, Francës, Italisë, Kinës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Jordanisë dhe Meksikës.

Të hënën e 29 gushtit, shefi i IAEA-s Rafael Grossi konfirmoi se ai po udhëheq një ekip nga mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara që do të vizitojë objektin në ditët në vijim.

“Ka ardhur dita, Misioni Mbështetës dhe Ndihmës i organizatës IAEA në Zaporizhzhia (ISAMZ) tani është në rrugën e tij. Ne duhet të mbrojmë sigurinë dhe ruajtjen e objektit më të madh bërthamor të Ukrainës dhe Evropës. Krenar që drejtoj këtë mision i cili do të jetë në ZNPP më vonë gjatë javës”, vërejti Grossi në Twitter.

Florian Hasi dhe Florin Abazi, ishin dy emrat e lakuar të dy shqiptarëve, të cilët mund të ndodheshin në centralin bërthamor të Zaporizhzhias.

Kjo, si pjesë e ekipit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Hasi – i cili ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, dhe më pas në Institutin për Fizikën e Materialeve në Universitetin e Vjenës – ka marrë një trajnim të avancuar në Fizikën Bërthamore dhe Inxhinieri Bërthamore.

Ai, aktualisht njihet si inspektor Ndërkombëtar i Masave Mbrojtëse.

Florian Hasi, specialisti i IAEA-së

Detyra e tij është përgatitja dhe raportimi për masat mbrojtëse në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.

Hasi ka marrë pjesë gjerësisht në inspektimet mbrojtëse të IAEA-s në Japoni, Korenë e Jugut, Kinë, Indonezi, Australi, Afrikën e Jugut, Ukrainë, Bjellorusi, Kazakistan, Armeni dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Abazi nga ana tjetër, është një nga Inspektorët më të lartë të mbrojtjes bërthamore të IAEA-së me seli në Austri.

Ai mban gradën e doktorit të Shkencave Teknike.

Abazi ka shërbyer si Koordinator i Programit MOSAIC në rolin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm në Departamentin e Mbrojtjes të IAEA-s.

Ekipi prej 14 anëtarësh përfshin zyrtarë të nivelit të lartë të IAEA si dhe ekspertë nga vende të ndryshme.

Tashmë ishte njoftuar se misioni i IAEA-s në termocentralin bërthamor Zaporizhia duhet të zgjasë më shumë.

Rafael Grossi deklaroi në një konferencë shtypi se dy nga punonjësit e tij do të qëndronin më gjatë në termocentral.

Gjashtë punonjës të IAEA-s janë aktualisht në objekt, katër prej të cilëve do të kthehen javën e ardhshme.

Dy punonjësit do të përfaqësonin praninë afatgjatë të IAEA-s.

Në konferencën për shtyp, Grossi njoftoi gjithashtu një raport të sigurisë për termocentralin bërthamor të Zaporizhia, më i madhi në Evropë, në fillim të javës së ardhshme.

Cilët janë dy shqiptarët, pjesë e ekipit të IAEA-së në Zhaporizhzhia?

Shqipëria do jetë pjesë e misionit të IAEA-s në Zaporizhzhia

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore