Lajme

Ekskluzive: “Kurtit i është dhënë një afat për përgjigjen finale për Asociacionin – është punë ditësh”, Albanian Post konfirmon raportimin e Nova.rs


Albanian Post, mbështetur në burime diplomatike, ka arritur të konfirmojë publikimin e 12 shkurtit të mediumit opozitar serb Nova.rs ku thuhet se ndërkombëtarët i kanë dhënë një afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të ofruar përgjigjen e tij përfundimtare për themelimin ose jo të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Burimet diplomatike të Albanian Post, të afërta me procesin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sqarojnë fillimisht se bashkësia ndërkombëtare pret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të bëhet pjesë e përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për gjetjen e një formule për të jetësuar marrëveshjen e vitit 2013/2015 për themelimin e Asociacionit.

Dështimi për të zbatuar këtë marrëveshje që më pas të vazhdohet përpara me Propozimin Evropian e rrënon kredibilitetin e botës perëndimore që aktualisht është duke ushtruar presion edhe mbi Beogradin për të pranuar planin franko-gjerman si dhe për t’i vendosur sanksione Rusisë.

Ashtu siç së fundmi është thënë nga (Peter) Stano në Bruksel, të gjitha idetë rreth Asociacionit, përfshirë edhe kushtet e kryeministrit Kurti, duhet të shtrohen si pjesë e dialogut në Bruksel”, thotë burimi i AP-së, duke shtuar se “ne jemi të vetëdijshëm që themelimi i Asociacionit është një proces që do kohë dhe durim, pra askush nuk kërkon që Asociacioni të themelohet brenda pak ditësh”.

Ndërkombëtarët – tregon burimi i AP’së i afërt me procesin – presin dy gjëra.

Nën një, një zotim i fuqishëm i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar të gjitha marrëveshjet, pastaj, nën dy, përfshirja aktive e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës në diskutime dhe bisedime serioze, në kuadër të dialogut në Bruksel, rreth mënyrave dhe modeleve të implementimit pa paragjykime rreth pozicionit të palëve. Këto dy veprime, do të konsideroheshin si të mjaftueshëm për të zhbllokuar procesin aktual”, shprehet burimi i AP-së.

Përveç një afati, raportimi i Nova-s thoshte edhe se  “një refuzim i kryeministrit Kurti do të mund të sillte deri te masat ndëshkuese, përfshirë edhe largimin e mundshëm të forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu”.

Për këtë pjesë, burimi i AP-së thotë se “ne jemi të vetëdijshëm që në rast të dështimit për të siguruar pajtimin e palëve për planin franko-gjerman, kriza e ardhshme në veri të Kosovës do të jetë shumë më e përshkallëzuar. Prandaj po, është reale të pritet që bashkësia ndërkombëtare do të veprojë në mënyrë preventive ndaj të dyja palëve, Qeveria e Kosovës, por as ajo e Serbisë, nuk mund të vazhdojnë lojërat e tyre të luftërave thuajse NATO nuk është fare në Kosovë”.

Po ashtu, Kosova nuk mund të aspirojë të vazhdojë të ketë trupat e veta në veri, duke llogaritur në mbrojtjen absolute nga perëndimi, dhe në të njëjtën kohë të mos behët pjesë e projekteve perëndimore për stabilizimin e rajonit”.

Për një mungesë potenciale të asistencës ndërkombëtare ditë më parë pati folur edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

“Jemi paralajmëruar për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes ndërkombëtare”, deklaroi Kurti.

Derisa për sanksionet e mundshme poqëse dështon procesi, Albanian Post ka raportuar ekskluzivisht me 30 janar të vitit të kaluar ku tregohej se “nëse nuk nënshkruhet Marrëveshja Bazë do ketë bllokim të procesit integrues, ngrirje të mbështetjes dhe kthim prapa në raportet me Perëndimin”.

Me një gjuhë të ashpër dhe aspak diplomatike në non-paper-in që kishte publikuar Albanian Post, i punuar nga një diplomat perëndimor i përfshirë thellë në procesin e pajtimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, bëhej e qartë se çfarë humbasin Kosova dhe Serbia nëse përpjekjet e perëndimit për të vendosur paqe në rajon ballafaqohen me vonesa e bllokada të qëllimshme nga Aleksandër Vuçiç e Albin Kurti.

Për Kosovën aty thuhej se është e lirë që të mos e themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe mund të tërhiqet krejtësisht nga Marrëveshja e vitit 2013, por atëherë duhet “të bart pasojat e zhbërjes së të gjitha të arriturave të mëhershme (lëvizjen e lirë, Kodin telefonik të Kosovës +383, integrimin e pjesës veriore, kontrollin e dy pikave kufitare me Serbinë e të tjera)”.

I ndarë në 11 pjesë të veçanta dhe me mbi 20 nënpika, non-paper prej gjashtë faqesh që, sipas burimeve të AP përmbledh gjithçka me të cilën ballafaqohen Kurti dhe Vuçiç, kishte më shumë fokus sqarimin e pasojave fatale të mos-nënshkrimit të Marrëveshjes Bazë mbështetur në Propozimin Evropian, sesa shpjegimin e përfitimeve eventuale.

Një nga pjesët më të rëndësishme të dokumentit është titulluar “Dinamikat Përpara – dështimi nuk është opsion”, ku bëhet e ditur se Bashkimi Evropian dhe Perëndimi nuk e kanë më ndërmend të jenë lojtarë vëzhgues në “taktikat vonuese” dhe “taktikat bllokuese” që ata thonë se po i bëjnë Serbia e Kosova.

Aty shkruhet se nëse Kosova, apo Serbia, dështojnë të jenë partnerë konstruktivë dhe nuk e nënshkruajnë marrëveshjen, atëherë “kjo nënkupton ndalimin e procesit të integrimit dhe një prapakthim potencial të raporteve me BE-në dhe të mirave që vijnë me të”.

Sipas këtij dokumenti, “Kosova nuk mund të aspirojë të vazhdojë ta gëzojë mbrojtjen absolute nga bota perëndimore, që është jetike për ekzistencën e vet dhe në të njëjtën kohë të hezitojë në përqafimin e përpjekjeve perëndimore për paqe të përhershme”.

Derisa, “Serbia nuk mund të aspirojë të vazhdojë të gëzojë benefitet financiare, ekonomike dhe politike të marrëveshjeve ekzistuese dhe në të njëjtën kohë të minojë përpjekjet e perëndimit për paqe të përhershme”.

Shtetet perëndimore bëjnë të qartë në këtë dokument se janë jashtëzakonisht të përfshira dhe po kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshje që është “minimalisht ambicioze”, prandaj nëse hasin në bllokada e vonesa të tjera, do të jenë shumë rigorozë në qasje, sepse dështimi i këtij procesi dëmton “seriozisht kredibilitetin e BE-së dhe kredibilitetin e të gjithë botës perëndimore”.

Prandaj, në takimin e radhës, palët “do të informohen për pasojat e rënda nëse refuzohet propozimi”, dhe perëndimorët do të fillojnë të përdorin pa hezitim shkopinjtë, sepse nëse tregohet hezitim kjo do të mund të nënkuptohej si mungesë përkushtimi.

Asociacioni

Asociacioni veçanërisht trajtohej në non-paper dhe përsëritej se përbën një obligim të patjetërsueshëm të Kosovës, derisa thuhej se “përfaqësuesit politik të Kosovës, shoqëria civile dhe individë prominentë e organizata duhet të jenë pjesë e diskutimeve të ardhshme substanciale gjithëpërfshirëse të fokusuara në gjetjen e një konsensusi për modelin e pranueshëm për Asociacionin të paraparë me Marrëveshjen e vitit 2013”.

Takimi i radhës

Të gjitha më sipër pritet të jenë diskutime në takimin e ardhshëm Kurti – Vuçiç, i cili është thënë se duhet të realizohet sa më parë dhe se po punohet intensivisht për t’u realizuar.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, kur ishte herën e fundit në Kosovë, deklaroi se është përfshirë në këtë diplomacinë fluturuese në mënyrë që kur të realizohet takimi i nivelit të lartë mes liderëve të dalin me arritje konkrete.

Kurti ka konfirmuar se është i gatshëm të shkojë në Bruksel dhe të diskutojë, derisa Vuçiç ka thënë se nëse nuk i garantohet se Kosova fillon me themelimin e Asociacionit, ai në Bruksel shkon “vetëm si turist”.

Ekskluzive – Dokumenti i Fundit: Nëse nuk nënshkruhet Marrëveshja Bazë do ketë bllokim të procesit integrues, ngrirje të mbështetjes, kthim prapa në raportet me Perëndimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore